E Diel, 1 Nëntor 2026

Ibraj: Vota e popullit të shkojë e pacënuar në destinacion

12/06/2005  TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Bajram Ibraj, zhvillon takime të veçanta me efektivat e Komisariateve të Policisë Lushnjë, Fier dhe Kavajë. Zëdhënësja e Policisë së Shtetit, Edlira Teferiçi tha dje se, përcjellja e porosive të ministrit të Rendit Publik për një objektivitet sa më të lartë, në zbatimin e ligjit nga të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit në këtë proces zgjedhor, por dhe rikujtimi i të gjitha atyre detyrave të përcjella në vijimësi, kryesisht për respektimin dhe zbatimin e të gjitha detyrimeve, që i dalin policisë së Shtetit në një proces zgjedhor, ishin pikat kryesore, në të cilat është ndalur drejtori i Përgjithshëm. “Sezoni veror, përveç rritjes së temperaturave, çka na çon në mendje marrjen e masave të duhura, për të përballuar sezonin turistik, që është në prag, këtë fillimvere na kujton dhe detyrimet, që i dalin në bazë të Kushtetutës, Kodit Zgjedhor dhe gjithë legjislacionit tjetër në përgjithësi, Policisë së Shtetit për procesin zgjedhor 2005. Tensioni dhe ethet është e natyrshme të rriten në prag të evenimenteve të rëndësishme, ndaj dhe ju duhet të tregoni profesionalizmin, etikën, gjakftohtësinë dhe maturinë tuaj, duke mos rënë viktima të kandidatëve apo subjekteve politike, pasi ju jeni punonjës karriere, dhe duhet të jeni krenarë për uniformën që mbani veshur", tha mes të tjerave Ibraj. Më pas ai tha se "Si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, kam garantuar, se Policia e Shtetit, sikurse u tregua e paanshme politikisht dhe e aftë profesionalisht në zgjedhjet e vitit 2003, në zgjedhjet parlamentare 2005 do të tregojë një performancë, akoma më të shkëlqyer dhe se vota e popullit do të shkojë e pacënuar deri në destinacion". Nga ana e tyre, drejtuesit lokale të policisë i thanë drejtorit se punonjësit e policisë, që do të jenë në shërbim me datë 3 korrik 2005, do të zbatojnë me përpikmëri ligjin dhe detyrimet që dalin prej tij. Në këto takime merrte pjesë dhe zoti Alain Moir, këshilltar për burimet pranë ministrisë së Rendit Publik nga misioni PAMECA. Ai tha se "Zgjedhjet e datës 3 korrik janë mjaft të rëndësishme për Shqipërinë, kur thuajse sytë e gjithë botës do të jenë drejtuar këtu, ju duhet të tregoni profesionalizmin, objektivitetin dhe etikën tuaj, dhe unë, në emër të institucionit, të cilin përfaqësoj, nuk besoj se ka shanse të ndodhë e kundërta.” Efektivave të policisë u janë shpërndarë dhe kopjet e Libërthit “Për detyrat e Punonjësit të Policisë në Procesin Zgjedhor”, 6000 kopjet e të cilit janë prodhuar nga Zyra e Prezencës së OSBE–së në Shqipëri

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›