“Bashkëpunimi me SHBA-të, për të çuar edhe më tej marrëdhëniet e shkëlqyera”

Shefi i ekzekutivit, Sali Berisha takon këshilltaren speciale të Presidentit Obama, Valerie Jarret
TIRANE - Gjatë punimeve të Forumit Ekonomik Botëror të Davosit, kryeministri Berisha mori pjesë dje në sesionin special me temë “Agjenda e re e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Në këtë sesion u trajtuan çështje si procesi zgjedhor në SHBA dhe vëmendjen tepër të madhe me të cilin u përcoll ky proces në të gjitha vendet e botës. Gjatë tij, u diskutua mbi lidershipin e ri të SHBA-ve dhe prioritetet e SHBA-ve për vitin 2009.
Gjatë këtij sesioni, kryeministri Berisha u takua me këshilltaren speciale të Presidentit Obama Valerie Jarrett.
Kryeministri Berisha e siguroi zonjën Jarrett se qeveria që ai kryeson është shumë e vendosur të punojë ngushtë me Presidentin Obama dhe administratën e tij për të çuar më tej marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve.
Jarrett pranoi me kënaqësi ftesën e Kryeministrit Berisha për të vizituar Shqipërinë.
Jarrett bëri në këtë sesion një prezantim të programit të Presidentit Obama në lidhje me krizën ekonomike dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi në Davos një takim edhe me përfaqësuesit e konsorciumit EGL, Hans Schulz, Drejtor Ekzekutiv i Kompanisë dhe Markus Brokhof, President i Divizionit të Gazit. Në takim ishte i pranishëm edhe Walter Steinmann, Drejtor i Përgjithshëm i Zyrës Federale Zvicerane për Energjinë. Gjatë takimit, u diskutua gjerësisht mbi projektin gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP), projekt që përfshin në rrugën e tij edhe Shqipërinë.
Përfaqësuesit e konsorciumit e njohën kryeministrin me ecurinë e këtij projekti dhe vendimin për të krijuar sipërmarrjen TAP Albania, (Trans Adriatik Pipeline Albania).
Drejtor i Përgjithshëm i Zyrës Federale për Energjinë, Steinmann u shpreh se qeveria zvicerane është shumë e interesuar për këtë projekt. Ai theksoi se duhet të punohet bashkërisht për zhvillimin e sektorit të gazit natyror, në fushën e energjisë së rinovueshme dhe në diversifikimin e burimeve të energjisë.
Berisha tha se qeveria shqiptare do të ndërmarrë çdo hap dhe nisëm që zhvillon sektorin energjetik në vend.
Kryeministri Berisha dhe përfaqësuesit e EGL shprehën të njëjtin qëndrim se duhet një bashkëpunim mes aktorëve të këtij projekti për një zgjidhje të shpejtë.
Gjatë vizitës në Davos, kryeministri Sali Berisha pati një takim edhe me Presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev.
Kryeministri Berisha dhe homologu i tij Aliyev diskutuan për nxitjen e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Duke u ndalur veçanërisht në fushën energjetike, ata diskutuam mbi projektin për ndërtimin e gazsjellësit Trans-Adriatik që do të kalojë edhe në Shqipëri. President i Azerbajxhanit, vendi kryesor nga i cili do të furnizohet ky gazsjellës, shprehu gatishmërinë për furnizimin e plotë me gaz të këtij gazsjellësi.
Kryeministri Berisha u takua në Davos edhe me kryeministrin e Pakistanit Yousaf Raza Gilani.
Kryeministri i Pakistanit Gilani shprehu vlerësimet e tij më të mira për zhvillimin dhe progresin ekonomik të Shqipërisë në vitet e fundit, si dhe në angazhimin e madh të qeverisë dhe sukseset në luftën kundër korrupsionit dhe krimit në vend.
Kreu i qeverisë Berisha e njohu homologun e tij të Pakistanit me ecurinë e reformave të gjithanshme në vend, si dhe me arritjet e Shqipërisë në ekonomi dhe në fusha të tjera, duke theksuar se Shqipëria është një vend me shumë potenciale dhe burime natyrore dhe njerëzore, një vend përballë tregut të madh evropian dhe që do të jetë shumë shpejt anëtar i NATO-s. Kryeministri theksoi se qeveria po ndërmerr hapa të mëdha për të krijuar një klimë biznesi sa më të ngrohtë. Investitorët pakistanezë janë të mirëpritur në Shqipëri dhe do të kenë mbështetjen e qeverisë shqiptare.
Dy Kryeministrat diskutuan gjithashtu edhe për përpjekjet e përbashkëta të të dyja vendeve në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.
Në takim u diskutua edhe për çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, për të cilën kryeministri pakistanez siguroi se qeveria e tij do të punojë seriozisht në këtë drejtim.
Kryeministri i Pakistanit shprehu kënaqësinë e tij për hapjen e misionit shqiptar në Islamabad, si dhe u shpreh se sapo axhenda e tij t’i japë mundësinë, do të vizitojë me kënaqësi Shqipërinë.