E Diel, 1 Nëntor 2026

“Për Brukselin, nuk përbën shqetësim, vënia në zbatim e ligjit të Dosjeve”

Kristina Nagy, zëdhënëse e komisionerit për zgjerimin e BE Olli Rehn, prononcohet për ligjin e lustracionit në Shqipëri

Kristina Nogj, (Kristina Nagy) zëdhënëse e Olli Rehn, komisionerit për zgjerimin e BE, në një deklaratë ekskluzive për DË tha dje në Bruksel se, “BE do të shprehë qëndrimin e tij ndaj ligjit të ri të lustracionit pas bisedimeve, që do të zhvillojë së shpejti me qeverinë e Tiranës. BE është i prirur t'i shohë këto bisedime në një dritë pozitive. Pa ditur rezultatin e këtyre bisedimeve nuk mund të flitet nëse shqetësimet e BE për ligjin  e lustracionit do të ndikojnë në ecurinë e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë”.
Në raportin e Komisionit Evropian për progresin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku përfshihet edhe Shqipëria, të titulluar “2009 - viti i Ballkanit Perëndimor” nuk përjashtohet përshpejtimi i ritmeve të afrimit të tyre drejt BE, nëse plotësohen disa kushte të cilësuara në këtë raport “të domosdoshme”.
Në krye të tyre qëndron plotësimi i kriterit politik për integrimin në BE, ku një pikë themelore është funksionimi i dialogut politik në gjithë spektrin politik.
Në një situatë te tillë Kristina Nogj, zëdhënësja e komisionerit për zgjerim, Olli Rehn,  i deklaroi DË se “funksionimi i dialogut politik është i një rëndësie të dorës së parë për BE”.
Vetëm pak muaj më parë në raportin e progresit për Shqipërinë për 2008-ën, Komisioni Evropian i tërhiqte vëmendjen spektrit politik të Tiranës për domosdoshmërinë e konsolidimit të kulturës së dialogut, “për të lejuar sistemin politik të funksionojë në mënyrë efikase”.
Në bisedimet e pritshme mes BE dhe qeverisë së Tiranës për ligjin e lustracionit një nga çështjet, që do të bëhet objekt diskutimesh është edhe ajo e cenimit, që ky ligj i  bën pavarësisë së sistemit gjyqësor nga politika.
“Për BE është shumë i rëndësishëm një gjyqësor i pavarur politikisht”, tha Kristina Nogj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›