E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga të rinjve, shisnin drogë te zona e ish-Bllokut



TIRANË - Forcat e policisë së kryeqytetit arrestuan dje tre persona, të cilët prej disa muajsh tregtonin lëndë narkotike te zona e ish-Bllokut. Sipas Policisë së Tiranës, të tre personat, Dorian Leci, 30 vjeç, Sadrino Nika, 25 vjeç e Albion Goxhaj, 18 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, u arrestuan gjatë operacionit të koduar "Ura e vogël", me akuzën "prodhim dhe shitje të narkotikëve". Pas një periudhe disamujore hetimi, të sipërcituarit u kapën në flagrancë në rrugën "Vaso Pasha", ndërsa po u shisnin shtetasve të ndryshëm (përdorues të saj) lëndë narkotike në të gjithë zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Policia konkludoi se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata e kryenin këtë veprim për një periudhë të gjatë kohore, relativisht 8-mujore. Në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi 36,6 gr pluhur i dyshuar si lëndë narkotike e llojit heroinë, pesë aparate telefoni celular, një motor tip "Jamaha", etj.

Depresioni, vetëvaret në kasollen e bagëtive 21-vjeçarja

LIBRAZHD – E ndodhur në një gjendje të rëndë depresive, një 21-vjeçare nga Librazhdi i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se ngjarja e rëndë ndodhi dje në mëngjes, në fshatin Qukës, Shkumbin, të Rrethit të Librazhdit. Sipas tyre, trupi i pajetë i Xh.Zh. është gjetur nga familjarët në kasollen e bagëtive. Dëshmitë e dhëna nga familjarët tregojnë se vajza prej kohësh vuante nga depresioni, gjë që mund të ketë nxitur aktin fatal. Mësohet se grupi hetimor që shkoi në vendngjarje ka marrë në pyetje të afërmit e viktimës dhe paraprakisht mendon se vajza e re i ka dhënë fund jetës në kushtet e një depresioni të çastit.

Shkarkimi i dinamitit, Porti i Durrësit në “shtetrrethim”

DURRËS – Mbërritja e një sasie të konsiderueshme eksplozivi për llogari të kompanisë Bechtel&Enka, që po ndërton rrugën Durrës-Kukës, ka vendosur në gjendje shtetrrethimi portin më të madh të vendit. Dje paradite janë kryer procedurat e shkarkimit të një sasie prej 492 tonë dinamiti prej anijes “Haslaman”. Zhvendosja dhe transportimi i materialit të ardhur nga Turqia, i cili do të përdoret në punimet për hapjen e rrugës, ka vendosur në gjendje gatishmërie dhjetëra forca policore. Po ashtu, është pezulluar puna për ngarkim-shkarkim në kalatën ku ishte anija turke, për shkak të frikës së ndonjë shpërthimi. Këto masa vijnë dy javë pas tragjedisë që ndodhi në Gërdec, ku ndodhën një seri shpërthimesh me pasojë vdekjen e 25 personave dhe plagosjen e qindra të tjerëve.

31 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›