E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjaken rrugët nga aksidentet, 4 të vdekur dhe 4 të plagosur



Rikthehen aksidentet e përgjakshme në akset rrugore të vendit tonë. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar të paktën gjashtë incidente automobilistike, me një bilanc tragjik: katër të vdekur dhe disa të plagosur. Burimet zyrtare raportojnë se të tilla ngjarje kanë ndodhur në Lezhë, Dibër, Fier, Cërrik, Pukë, etj. Ngjarja më e rëndë u shënua në aksin Lezhë-Shkodër. Një shtetas i huaj gjeti vdekjen dhe 2 të tjerë mbetën të plagosur si pasojë e një përplasjeje mes një fuoristrade dhe një kamioni. Të dhënat e regjistruara dje i bashkëngjiten bilanceve të frikshme që regjistrohen çdo ditë në rrugët tona.
Vdes shqiptari nga Mali i Zi
Burime zyrtare pranë policisë së Lezhës bënë të ditur se ka qenë përplasja e dy automjeteve, njëra "Fuoristradë" me targë të Ulqinit të Malit të Zi dhe tjetra “kamion” me targa të Tiranës, që ka rezultuar fatale për shtetasin nga Mali i Zi, Sadri Hajraj, i cili ka gjetur vdekjen, ndërsa janë plagosur rëndë edhe dy persona të tjerë, Samiha Shkoriç që udhëtonte në të njëjtin mjet, si dhe drejtuesi i kamionit nga Tirana, Arben Sakaj. Sipas policisë, e cila ka mbërritur në vendngjarje, aksidenti ndodhi në afërsi të fshatit Blinisht të Rrethit të Lezhës. Dy të dëmtuarit janë dërguar në Spitalin e Lezhës, ndërkohë që njëri prej tyre, drejtuesi i kamionit Arben Sakaj, i cili ka dëmtime më të rënda, është dërguar në Spitalin Ushtarak të Tiranës për ndihmë më të kualifikuar. Ekspertët e policisë rrugore dhe ato të rendit të Komisariatit të Lezhës janë në vendngjarje duke bërë verifikimet rreth kësaj ngjarjeje të rëndë.
Përplas të moshuarën
Një aksident me pasojë vdekjen e një 80-vjeçareje ka ndodhur mesditën e së shtunës në aksin rrugor Cërrik – Gramsh, në fshatin Malasenjë. Burime të policisë rrugore pohojnë se rreth orës 16.00 të mesditës së djeshme, një mjet tip “Volksë////////agen”, me targa EL 5902 B, si pasojë e shpejtësisë tej normave të lejuara, ka goditur shtetasen Hamide Tapa, 80 vjeçe, lindur e banuese në fshatin Malasenjë. Po sipas këtyre burimeve mësohet se 80-vjeçarja, e cila ka qenë duke ecur buzë trotuarit, si pasojë e goditjes së rëndë ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Policia ka shoqëruar për në komisariat drejtuesin e mjetit, shtetasin Besnik Daka, 32 vjeç, lindur e banues në qytetin e Elbasanit. Nga të dhënat e para në grupin hetimor bëhet e ditur se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara nga drejtuesi i mjetit. Po dje pasdite, një tjetër aksident me pasojë vdekje u regjistrua në Fier. Traktori i drejtuar nga shtetasi Miti Koçi ka dalë nga rruga duke rënë në një kanal. Për pasojë, Koçi ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Burimet bëjnë të ditur se ka qenë një pakujdesi në drejtimin e mjetit, e cila solli përmbysjen e tij dhe më pas vdekjen e Miti Koçit. Një tjetër ngjarje me pasoja tragjike ndodhi të shtunën pasdite në Dibër. Shtetasi Fitim Gjollesha, teksa drejtonte automjetin tip benz, ka përplasur të miturën E.G.. Burimet raportojnë se 5-vjeçarja ka humbur jetën, ndërkohë që autori i aksidentit është larguar nga vendngjarja. Policia ka shpallur në kërkim Gjolleshën për veprën penale që ka kryer. Dy ditë më parë, në qytetin e Fushë-Arrëzit ka mbetur e plagosur rëndë një 12-vjeçare. Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër, shkaktar i aksidentit është shtetasi A. K., 19 vjeç, lindur dhe banues në Fushë-Arrës, i cili pas ngjarjes është vetëdorëzuar në stacionin policor të qytetit. Organi i akuzës ka nisur hetimin ndaj tij dhe ka sekuestruar mjetin tip benz.

TË DHËNAT PËR AKSIDENTET
LEZHË
Sadri Hajraj, i vdekur, Mali i Zi
Samiha Shkoriç, i plagosur, Bosnjë
Arben Sakaj, i plagosur, Tiranë

CËRRIK
Hamide Tapa, e vdekur, Malasenjë

FIER
Miti Koçi, i vdekur, Fier

DIBËR
E.G., e vdekur, Maqellarë

PUKË
12 vjeçare, e plagosur, Fushë Arrës

31 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›