Investime për përmirësimin e kushteve në qendrat shëndetësore
VLORË - Qendrat shëndetësore në qytetin e Vlorës do t’i nënshtrohen një rikonstruksioni të plotë dhe njëkohësisht do të investohet për përmirësimin e shërbimit në këto qendra. Gjatë këtij viti investimet janë përqendruar në krijimin e kushteve të përshtatshme për pacientët që drejtohen në qendrat shëndetësore.
Drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetit Publik, Bruna Ndreu, u shpreh se infrastruktura është një nga elementët bazë për përcaktimin e standardeve në sistemin e shërbimit shëndetësor parësor. Gjendja aktuale e qendrave shëndetësore në rrethin e Vlorës ishte edhe një nga arsyet e kësaj përzgjedhjeje që do të konkretizohet në javët në vazhdim. Sipas Ndreut, në këto qendra nuk janë bërë investime prej shumë vitesh, gjë që reflektohet në gjendjen aktuale. Investime do të ketë edhe për qendrat shëndetësore në zonat rurale, ku shërbimi është riorganizuar në funksion të ndryshimeve të theksuara demografike që kanë ndodhur 17 vitet e fundit. Gjatë vitit të kaluar, në sistemin e shëndetësisë, në rrethin e Vlorës, u realizuan projekte me një vlerë të përgjithshme prej rreth 22 milionë lekësh. Një pjesë e këtyre fondeve u investuan në godinën e spitalit, përkatësisht për rehabilitimin e katit të parë dhe të repartit të urgjencës.
Shërbimi shëndetësor parësor në qytetin e Vlorës është organizuar në formën e pesë qendrave shëndetësore, që funksionojnë si drejtori më vete në bazë territori.
31 Mars 2008