Bashkëpunimi pas zgjedhjeve, LSI vendos kusht
Partia e Ilir Metës avancon më tutje në qëndrimin ndaj Partisë Socialiste. Në një moment kur bashkëpunimi parazgjedhor duket i paarritshëm, Lëvizja Socialiste për Integrim kushtëzon edhe aleancën paszgjedhore. Numri dy i kësaj partie, Pëllumb Xhufi deklaron se një bashkëpunim mes dy forcave do të ishte i natyrshëm. Gjithsesi, ai thekson se realizimi i një momenti të tillë do kërkonte pa diskutim distancimin prej atyre që ishin arkitektët e reformës zgjedhore. "Do duhej që në këtë bashkëpunim të mos kishin vend ata që minuan marrëveshjen e bashkëpunimit të koalicionit të 18 shkurtit 2007", nënvizon Xhufi. Drejtuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim ndalen te qëndrimi konkret që do mbajë selia rozë deri pas zgjedhjeve të vitit 2009. Aleanca, sipas tyre, do të vështirësohej çdo moment e më shumë nëse do të vijojë bashkëpunimi mes socialistëve dhe demokratëve. Në këtë konstatim, LSI i referohet kryesisht reformës zgjedhore dhe përcaktimit të detajeve të saj. "Nuk mundet që ata që projektuan idenë e reformës zgjedhore në kurriz të aleatëve dhe që prishën marrëveshjen mes koalicionit të flasim për bashkëpunimin pas zgjedhjeve", u shpreh Xhufi. Nëse thamë, shtoi ai, se koalicioni i 18 shkurtit doli fitues lind pyetja kujt i interesonte prishja e marrëveshjes dhe për çfarë arsyeje. Në këtë linjë, eksponentë të Partisë Socialiste, sipas tij, nga njëra anë kanë ndërtuar një pakt të njëanshëm me Partinë Demokratike, duke dëmtuar partitë e tjera dhe nga ana tjetër shprehin gatishmëri për bashkëpunim paszgjedhor. Që nga krijimi i saj si forcë politike në vitin 2004, Lëvizja Socialiste për Integrim ka konkurruar e vetme në disa procese. Përballja e parë e saj ishte kandidimi me 100 përfaqësues në të gjithë vendin në parlamentaret e 3 korrikut 2005. Në bazë të rezultatit të fituar në sistemin proporcional Lëvizja Socialiste për Integrim grumbulloi 114.798 vota ose thënë ndryshe 8.40%. Në 18 shkurt të vitit 2007, në procesin zgjedhor për pushtetin lokal, Lëvizja Socialiste për Integrim lidhi aleancë për mazhoritarin, kurse në proporcional kandidoi më vete. Rezultati ishte 9.19%, duke u renditur sërish në vendin e tretë në radhën e subjekteve politike. Në 10 komuna, edhe më 18 shkurt, PS dhe LSI preferuan të kandidojnë me përfaqësuesit respektivë përballë të djathtës. Pas kësaj përplasjeje, Lëvizja Socialiste për Integrim rezultoi fituese në tri komuna, Partia Demokratike në dy, Partia Socialiste në katër dhe një u fitua prej kandidatit të pavarur.