Ndalohet 24-vjeçari, fshehu 200 mijë dollarë në doganë
Një 24-vjeçar mund të privohet nga liria vetëm se nuk ka deklaruar shumën e parave që kishte me vete në pikën kufitare të Qafë-Thanës. Sipas burimeve të policisë së Elbasanit, 24-vjeçari Elis Bahushi, banor i këtij qyteti është ndaluar se i kishte fshehur kontrollit doganor një shumë prej 200 mijë dollarësh. Ka qenë sektori i luftës kundër pastrimit të parave, pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Elbasanit, ai që ka referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan çështjen penale në ngarkim të shtetasit Elis Bahushi, 24 vjeç, lindur e banues në lagjen "Syrja Dylgjeri" të qytetit të Elbasanit. Burime të policisë sqarojnë se ky shtetas nuk ka deklaruar shumën e saktë të parave dhe sendeve me vlerë në momentin që ka kaluar pikën kufitare të Qafë-Thanës. I njëjti burim saktëson se 24-vjeçari vinte nga Maqedonia në Shqipëri dhe gjatë kontrollit në pikën shqiptare nuk ka deklaruar shumën prej 200 mijë dollarësh, që i dispononte për qëllime tregtie. Sipas autoriteteve doganore, 24-vjeçari është ndaluar të vazhdojë udhëtimin dhe është vënë në izolim nga struktura të seksionit kundër pastrimit të parave. Aktualisht, ai ndodhet në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë së Elbasanit, ndërsa mësohet se çështja në ngarkim të tij i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan. Dy ditë më parë, dy shtetas grekë u ndaluan në Kakavijë me 450 mijë euro të padeklaruara.