Braçe: PS-LSI, "luftë e ftohtë"
Mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim ka filluar lufta e ftohtë. Këtë fakt e pranon nënkryetari i grupit parlamentar të selisë rozë, Erion Braçe. Sipas tij, thelbi i gjithë kësaj historie bëhet reforma zgjedhore. "Ky propozim në vëmendjen time ndryshon vetëm në një pikë që ka bërë PS, thjesht te listat e hapura apo të mbyllura", krahasoi Braçe propozimet e dy partive. Pjesa tjetër, shtoi ai, është thuajse e njëjtë. Ai e konsideroi debatin tjetër si gjuhë të një lufte të ftohtë, jo të një shoqërie të hapur. "Kjo është gjuha e shekullit të shkuar dhe nuk është gjuha e shekullit të ri, është gjuha që ndan dhe nuk bashkon, është gjuha e së shkuarës dhe jo e të ardhmes, është gjuha që shkatërron dhe që nuk ndërton", tha Braçe. Mbi të gjitha, sipas tij, është gjuha e një projekti jo fitues dhe këtë duhet ta dinë apo ta dëgjojnë mirë të gjithë anëtarët e LSI-së. "Nëse ata janë të gatshëm që të rrinë edhe për katër vjet të tjera në opozitë, kjo është çështje e tyre. Ne duam të marrim përgjegjësi për të transformuar këtë vend dhe për ta afruar këtë vend me BE si një parti fituese me një projekt fitues dhe me një kandidat fitues", nënvizoi Braçe. Numri dy i grupit parlamentar këmbënguli se rasti i Këshillit të Fierit nuk ka precedent në raport me zgjedhjet. "Nuk ka precedent në votimin popullor për zgjedhjet politike, ky rast, rasti i Këshillit Bashkiak të Fierit është një rast i pastër korruptiv me atë të të cilit dy partitë tashmë partnere në nivel lokal, unë nuk e besoj që të jenë të tilla edhe në nivel qendror, duan të kapin ujësjellësin e Fierit", insistoi Braçe. Duke iu referuar pyetjes sa i takon ndarjes së votave, Braçe sqaroi se sistemi proporcional rajonal, natyrisht që presupozon korsi të ndara për secilën nga partitë politike. "Kësaj radhe korsi reale, garim real, jo me vota të partisë së madhe për partitë e vogla, siç ka ndodhur në zgjedhjet e së shkuarës, pra pa Dushk dhe konkurrim real", argumentoi Braçe. Ndërsa ai u tregua i hapur që pas zgjedhjeve të mund të krijohen hapësira për koalicione qeverisëse. "Sistemi proporcional dhe anti-Dushku, që për hir të së vërtetës në fillim fare dhe më herët e ka propozuar Lëvizja Socialiste për Integrim, presupozon hyrjen të ndarë në zgjedhje", tha Braçe. Sakaq, zëdhënësja e socialistëve, Mimi Kodheli, konstatoi se pakti në Fier tregoi rrëshqitjen e Ilir Metës dhe të grupimit të tij në rrugën e vjetër të sakrifikimit të interesave të publikut, për hir të çfarëdo karrigeje.
Qëndrimi
LSI mbledh konventën elektorale
Ilir Meta pritet të mbledhë konventën elektorale të partisë së tij për të analizuar situatën më të fundit politike. Burime nga LSI sqarojnë se në këtë forum do të mund të kuptohen edhe hapat e ardhshëm që do të ndërmarrë Lëvizja Socialiste për Integrim. Sa i takon reformës zgjedhore, qëndrimet deri më tani janë bërë të qarta dhe duket se nuk ka lëshime. Konventa duket se do të jetë shansi më i mirë për këtë parti me qëllim që të dëshmojë forcën mbështetëse në elektorat. Pritet gjithashtu, që drejtuesit e lartë të partisë së sulmojnë lidershipin e socialistëve për mungesë respekti të ndërsjellë politik. Sfida që do lançohet prej ish-kryeministrit Ilir Meta ka të bëjë me hyrjen vetëm në zgjedhje pavarësisht nga lloji i sistemit që do të vendoset. Mënyrë kjo për të konkurruar direkt dy partitë e mëdha PS dhe PD.