Policia e Lushnjës "shpëton" nga bandat
Pas goditjes së bandës së Aldo Bares, policia e Lushnjës përqendrohet te zbardhja e dosjeve të vjetra, si dhe përballimi i situata të përditshme. Kundërvajtjet penale dhe shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor kanë shqetësuar policinë e Komisariatit të Lushnjës gjatë tre muajve të parë të vitit 2008. Të dhënat statistikore të Komisariatit të Policisë Lushnjë publikuar ditën e djeshme, në mbledhjen e policisë në rang qarku, tregojnë se vetëm gjatë 3 muajve të parë të vitit 2008 janë shënuar plot 59 vepra penale. Nga dosjet përkatëse të hapura për secilën vepër rezultojnë se janë zbardhur përfundimisht 53, duke lënë 6 vepra në vijim të hetimeve. Ndër veprat penale më shumë të shfaqura në këtë tremujor kanë qenë ajo e plagosjes, vjedhjes, si dhe kanosjes për shkak të detyrës. Si tremujor, qarkullimi rrugor i Komisariatit të Lushnjës ka dhënë 7067 masa administrative, parashikuar këto me një shumë prej 4,8 milionë lekësh, ndërkohë që ka mundur të vjelë 88 për qind të kësaj shume. Këto shifra të servirura në analizën e Drejtorisë së Policisë në shkallë qarku tregojnë se në krahasim me vitin 2007 është dyfishuar numri i ndëshkimeve ndaj kundërvajtësve.