E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bastisen lokalet në rrugën Fier-Vlorë

Disa lokale që ndodhen në Qafën e Koshovicës përgjatë rrugës kombëtare Fier-Vlorë, janë bastisur natën e së premtes nga një bandë grabitësish. Ndërsa në tre lokale ka pasur vetëm dëmtime në xhama dhe dyer, në një lokal grabitësit janë përleshur edhe me pronarin. Përleshja ka ndodhur në lokalin me emër "Restorant Greshica", që është në pronësi të shtetasit Spiro Bare. Sipas burimeve policore, mësohet se rreth orës 21:30 minuta të mbrëmjes, disa persona të paidentifikuar kanë shkuar dhe kanë thyer xhamin e lokalit për të hyrë në të, pasi kanë menduar se brenda nuk ka pasur njeri. Pasi është dëgjuar thyerja e xhamit, pronari i lokalit ka dalë me sëpatë në dorë nga dera e pasme e lokalit dhe është përleshur me grabitësit, të cilët janë shtangur fillimisht kur kanë parë që pronarin që po i sulmonte nga pas. Në përleshje e sipër, pronari i lokalit është dëmtuar lehtë në dorë dhe krah, ndërkohë që grabitësit janë larguar. Menjëherë pas ngjarjes, një grup policësh kanë shkuar në lokalin e sulmuar, ndërsa forca të tjera policore kanë kryer edhe shoqërimin e dhjetëra personave që njihen si kontingjente krimi në katër fshatrat e zonës në fjalë. Edhe pse pronari i lokalit i ka parë të shoqëruarit, ai nuk ka vënë gishtin mbi asnjë prej tyre. Policia nga ana e saj ka mbajtur nën mbikëqyrje spitalin e Fierit, si dhe lokalin, pasi pronari i tij kishte pohuar se një prej grabitësve ishte goditur me dru në kokë. Pas marrjes së denoncimit, policia e Fierit ka mundur të sigurojë edhe dëshmi të tjera të lokaleve në zonën e Qafës së Koshovicës. Burimet policore tregojnë se një grup grabitësish po qarkullonin prej kohësh në Fier, ndërsa 6 vjedhje me shuma mbi 10 milionë lekë kanë mbetur pa autor.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›