E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plumb kokës të kërkuarit për vrasje

Një 41-vjeçar, lindur në Fier dhe banues në qytetin e Patosit është gjetur i vdekur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në shtëpinë e vëllait të tij. Trupi i Albert Gjatës është gjetur brenda një banese në lagjen "29 Marsi" të qytetit të Patosit. Policia tha se ai kishte një plagë plumbi në kokë, ndërkohë që nga ekspertët është arritur në përfundimin se ai ka vdekur shumë orë para se të gjendej trupi. "Gjaku që kishte rrjedhur prej plagës në kokë ishte nxirë dhe tharë", tregojnë nga grupi i ekspertëve për gazetën "Shqip". Uniformat blu e kanë pasur të vështirë këqyrjen e kufomës dhe transportimin e saj drejt morgut të spitalit të Fierit, pasi u është dashur të përdorin maskë kundërgaz. Transportimi i tij është bërë pas orës 1:00 të mëngjesit të djeshëm. Viktima është gjetur në dhomën e gjumit, pranë një shtrati. Ai ka pasur në tëmth një vrimë plumbi që nuk ka dalë në kahun tjetër. Burimet nga grupi i ekspertëve tregojnë se pranë viktimës është gjetur edhe arma e zjarrit me të cilën është kryer qitja, një pistoletë TT. Ndërkohë, policia nuk ka mundur të marrë ende gjurmët gishtave mbi pistoletë. Sipas policisë, 41-vjeçari Albert Gjata ishte shpallur në kërkim prej 10 vitesh, pas një vrasjeje të kryer prej tij në lagjen "Sheq i Madh" të qytetit të Fierit në vitin 1998. Madje, burimet zyrtare policore tregojnë se 41-vjeçari ka qenë në burg nga viti 1984 deri në vitin 1994, i dënuar për një tjetër vrasje. Hetimi i policisë për këtë ngjarje është përqendruar në dy pista. Më e mundshmja, sipas burimeve zyrtare të Drejtorisë së Policisë Fier është pista e vetëvrasjes. Por burime nga grupi i hetimit pranojnë për "Shqip" se po hetohet edhe mbi ndonjë ekzekutim që e ka pasur motivin te hasmëria. Sipas burimeve policore, pranohet se provat në vendin e ngjarjes kanë qenë të pakta. Gëzhoja, arma dhe viktima janë provat e gjetura. Ndërsa në dhomën ku ai ka dhënë jetë, policia ka marrë edhe gjurmë gishtash. Këto të fundit janë marrë edhe në disa vende të ndryshme të vilës ku fshihej i kërkuari, duke filluar që nga kati i parë i saj e duke përfunduar në të gjitha dritaret. Burime nga grupi hetimor thonë se Albert Gjata ishte kthyer pak kohë më parë nga Italia, ku kishte qëndruar për shumë vjet. Ai është strehuar në banesën e vëllait në Patos dhe ky i fundit i çonte ushqim çdo 24 orë. Mendohet se vdekja ka ndodhur pikërisht pak momente pasi vëllai i viktimës ka dalë nga banesa. Ndërkohë, duke u përqendruar në pistën e vrasjes për shkak të hakmarrjes, policia dyshon për një ekzekutim të mirorganizuar, i cili ka kohë që është përgatitur e që ka ardhur pas një survejimi pa ndërprerje të lëvizjeve të personave që hynin në vilën ku fshihej 41-vjeçari.

Profili

Dy vrasjet e Albert Gjatës

Vrasja e kryer prej Albert Gjatës ka ndodhur në qershor të vitit 1998. Pas një sherri banal, ai ka shkrehur gjithë karikatorin e pistoletës mbi trupin e Llazar Stefës, duke e lënë të vdekur në vend. Menjëherë ai është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që policia e ka shpallur në kërkim. Tre vjet pas ngjarjes në lagjen periferike "Sheq i Madh" të Fierit, Gjykata e Shkallës së Parë e ka dënuar Gjatën në mungesë me 25 vjet burg. Por policia bën të ditur se Albert Gjata është fshehur për disa vite në Greqi e Itali nga ku është kthyer pak kohë më parë. Gjithashtu, Gjata ka vuajtur më parë një dënim prej 10 vitesh burg, të cilin e ka përfunduar në vitin 1994. Familja e tij, e përbërë nga dy vëllezër të tjerë dhe dy motra është shpërngulur drejt qytetit të Patosit në vitin 1984, pas vrasjes së parë të kryer nga Alberti.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›