E Diel, 1 Nëntor 2026

Beogradi në duar të radikalëve, marrëveshje për pushtetin lokal

Autori i Lajmit: red.
Përfaqësuesit e Partisë Radikale të Serbisë, demokratët e Koshtunicës dhe socialistët e Daçiçit kanë firmosur në Beograd marrëveshjen për formimin e pushtetit lokal. Sipas kësaj marrëveshjeje, kandidati për kryetar të Bashkisë së Beogradit do të jetë radikali Aleksandar Vuçiç, zëvendës i tij do të jetë zëdhënësi i partisë së Koshtunicës, Andrea Mlladenoviç, ndërsa kryetari i këshillit bashkiak, socialisti Aleksandar Antiç. “Sot ju premtoj se për 4 vjet do të bëjmë të paktën dy herë më shumë se sa është bërë në më shumë se katër vjetët e shkuara. Do të dëshmojmë se ishin gënjeshtra rrëfimet se investitorët nuk vijnë në Beograd. Ju premtoj se do të shihni që në muajt e parë shumë investitorë të huajnë Beograd nga të gjitha anët e botës”, - shprehet Aleksandar Vuçiç, kandidat për kryebashkiak të Beogradit. Pasi siguruan 58 vota nga 110 këshilltarë bashkiakë, Vuçiç paralajmëroi edhe mbledhjen konstituive të Këshillit Bashkiak të Beogradit. “Ne që nesër do ta informojmë kryetarin aktual të Këshillit Bashkiak, Zoran Alimpiçin se kemi siguruar shumicën dhe presin përcaktimin e mbledhjes konstituive në afat ligjor dhe sa më shpejtë”, - shtoi Vuçiç. Ndërkohë takimi i paralajmëruar për të mërkurën në mes të liderëve Nikoliç, Koshtunica dhe Daçiç për koalicionin qeverisës të Serbisë nuk u zhvillua për arsye ende të panjohura. Për orientimin evropian të socialistëve, Koshtunica kishte ofruar një klauzolë në marrëveshje për t i kërkuar Brukselit zyrtar korrigjimin e MSA-së, për të figuruar se Kosova është pjesë e Serbisë, por drejtoresha e zyrës qeveritare për anëtarësim në BE, Tanja Mishçeviç, kishte sqaruar se një gjë e tillë është absolutisht e pamundur.

Ky lajm është publikuar: 29/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›