E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkëqeverisja me PD-në, Klosi: “LSI-ja gaboi”



Anëtari i Kryesisë së LSI-së, Fatos Klosi, ka kundërshtuar vendimin e LSI-së për të bashkëqeverisur me Partinë Demokratike.
Sipas Klosit, ky ishte një gabim i pafalshëm që shërbeu si kamerdare për kreun e PD-së, Berisha, i cili, sipas tij, nuk arriti të rikonfirmonte maxhorancën e nevojshme për të qeverisur vendin.
“Kemi tradhtuar elektoratin tonë dhe të gjithë elektoratin e majtë. Nuk mendoj se kemi vepruar gabim ndaj PS-së dhe liderit te saj, pasi ata kanë bërë një luftë të paprincipë ndaj LSI-së, po ky nuk është argument për të shkuar te Berisha. Me këtë veprim kemi zhgënjyer bazën tonë”, - tha Klosi. Sipas tij, ky bashkëpunim mund të rezultojë fatal në të ardhmen elektorale të LSI-së, e cila, sipas tij, ka bërë zgjedhjen e gabuar në momentin e gabuar.
Gjithsesi, për LSI-në Konventa Kombëtare tregoi se kjo parti respekton edhe mendimet alternativa, duke qenë kështu një shembull i qartë i demokracisë së brendshme në këtë parti. “Konventa ishte një shembull i qartë i funksionimit të demokracisë së brendshme në Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe pasqyrë e hapësirave për shprehjen e mendimit ndryshe dhe për respektimin e tij”, - tha kreu i KDK-së, Edmond Haxhinasto.

9 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›