Meta për BBC-në: “LSI në qeverisje për integrimin e vendit, dhe jo për kaosin dhe izolimin”
Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, gjatë një interviste për BBC-në ka theksuar se vendimi politik i LSI-së për të bashkëqeverisur me Partinë Demokratike ka pasur për qëllim përshpejtimin e integrimit të Shqipërisë dhe shmangien e kaosit dhe të krizës politike e ekonomike në vend. Meta shpjegoi se LSI-ja ka marrë një vendim historik duke i shërbyer vendit. Ai i ka quajtur të dëshpëruara deklaratat e PS-së, sipas të cilave LSI-ja tradhtoi të majtën. Meta theksoi se e majta është tradhtuar nga Edi Rama dhe Gramoz Ruçi, të cilët donin të fitonin vetëm zgjedhjet, duke tentuar asgjësimin politik të LSI-së, por edhe dëmtimin e çdo partie tjetër të majtë. “LSI nuk pranoi të bëhej pjesë e këtij kaosi, destabiliteti, por vendosi të hedhë një hap të rëndësishëm për stabilitetin e vendit, për qeverisjen e tij dhe për të vijuar integrimin europian, që është projekti kryesor i LSI-së. Ne na vjen shumë keq për shprehje të tilla të dëshpëruara, pasi LSI-ja nuk ka asnjë borxh ndaj PS-së, që u soll në mënyrën më armiqësore për gati 2 vite ndaj LSI-së, e cila realizoi një projekt mafioz për shkatërrimin e LSI-së në këto zgjedhje. LSI-ja ka pozicionin e saj, ka votat e saj. Çdo koalicion LSI–PS ishte i pamundur dhe vetëm sjell krizë. Kjo është zgjidhja që i shërben vendit dhe ne do të ngrihemi mbi interesat e pjesshme. Shprehje të tilla si ‘tradhtar’ janë të denja për një politikan të ‘politikës së re’ si Gramoz Ruçi. Ka qenë një ndër ekzekutorët kryesorë të skenarit të z.Rama, për asgjësimin korruptiv të LSI-së gjatë këtij procesi zgjedhor. Tradhti është që në këto momente të rëndësishme të inskenosh destabilizim të vendit, sikurse bën Ruçi dhe sikurse u përpoq të bënte dhe në Fier pas zgjedhjeve”, - tha Meta. Kreu i LSI-së theksoi se çështja e posteve ministrore do të jetë një çështje sekondare në negociatat që ai do të zhvillojë me kryeministrin Berisha. Sipas Metës, fokusi kryesor i negociatave do të jetë programi i koalicionit qeverisës dhe përshpejtimi i reformave për integrimin e vendit.
9 Korrik 2009