E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashki-Qeveri, nis seriali i ri i telenovelës "Zogu i Zi"

Shembja e godinës në kilometrin 0 të kryeqytetit ka mbetur pezull. Dje, në orën 10.00 paradite, Inspektorati i Ndërtimit ka ndalur punën e shembjes së kateve të tjera. Por kjo është e përkohshme, lajmin e ka konfirmuar Ministria e Transporteve.

Pas shembjes së tri kateve të godinës kanë shpëtuar përkohësisht shembja e kateve të tjera. Pronari ka bërë kallëzim penal për inspektoratin, duke kërkuar edhe dëmshpërblim. Ndërsa inspektorati thotë se kemi një urdhër për prishjen e një godine pa leje, bashkia sqaron se ndërtesa është tërësisht e ligjshme dhe madje për të ka edhe një plan studimi të miratuar nga KRRT-ja. Pas suspancës që krijoi çështja e truallit në qendër të Tiranës, seria e dytë e telenovelës "Zogu i Zi", seria e radhës do të jetë konflikti mes qeverisë dhe bashkisë për çështjen e ndërtesës shumëkatëshe në zemër të Tiranës. Një sqarim të hollësishëm lidhur me këtë çështje e ka dhënë dje edhe kryeinspektori i Bashkisë së Tiranës, Afrim Qendro. Ai ka sqaruar në cilësinë e përfaqësuesit të bashkisë, se ndërtesa është e ligjshme, dokumentet e vërtetojnë dhe inspektorati i ka shkelur kot në kallo pronarit, duke shkaktuar përsëri konflikt për sa u takon kompetencave qeveri-bashki.

"Dua të bëj një sqarim të opinionit publik lidhur me ndërhyrjen flagrante dhe të kundërligjshme nga Inspektorati Kombëtar në objektin pranë hotel "Tirana", duke sqaruar se në këtë zonë ka një studim urbanistik të miratuar nga KRRT-ja", sqaroi kryeinspektori Qendro. Sipas tij, në bazë të studimit, është miratuar dhe është dhënë leja e ndërtimit të këtij objekti, në përputhje me të gjitha ligjet e shtetit shqiptar. Ky objekt, në bazë të procedurave ligjore, është regjistruar rregullisht në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, pikërisht kur në Zyrën e Regjistrimit kanë qenë njerëzit e këtij Kryeministri.

"Duhet t‘ju sqaroj, se me forcën e ligjit, veprimet e kryera nga Inspektorati Kombëtar janë të kundërligjshme dhe në kundërshtim flagrant me të drejtën mbi pronën nga subjekti dhe nga qytetari përkatës. Inspektorati Kombëtar gënjen hapur kur thotë në vendimin e tij, që nuk ka leje ndërtimi dhe është në një zonë me rëndësi kombëtare", theksoi Qendro. Sipas tij, kjo strukturë ka përdorur forcën, duke shpërdoruar detyrën në mënyrë të dhunshme dhe duke cenuar sigurinë e pronën e gjithsecilit prej nesh.

Sipas Bashkisë së Tiranës, inspektorati nuk respekton jo vetëm ligjet, por edhe vendimin që ka marrë prokuroria, si organ kompetent për pushimin e ankesës, pushimin e çështjes, mbi bazën e një ankese që kanë bërë qytetarët dhe ky vendim prokurorie siglon me datën 01.04.2007 dhe citon se nuk ka gjetur asnjë shkelje, duke thënë se leja e ndërtimit dhënë nga Bashkia e Tiranës është plotësisht e rregullt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›