E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tensioni politik arrin kulmin në Patos

Situatë e tensionuar në qytetin e Patosit. Në pritje të zhvillimit të një mbledhjeje të jashtëzakonshme të këshillit bashkiak është shënuar një përleshje mes punonjësve të Ndërmarrjes së Gjelbërimit dhe Pastrimit, këshilltarëve të forcave të djathta politike, policisë bashkiake dhe asaj të rendit. Ndërsa punonjësit e irrituar kanë kërkuar që në rend të ditës këshilli bashkiak të kishte pikërisht miratimin e fondit të pagave të tyre, këshilltarët e djathtë që nxitën mbledhjen e jashtëzakonshme kanë pasur në rend të ditës shkarkimin e kryetarit të këshillit, që mbahet nga një përfaqësues i PS-së.

Njoftimi

Ditën e hënë, në orën 17:00, kryetarët e grupeve politike të këshillit kanë organizuar një takim për vendosjen e datës së mbledhjes së radhës. Nga ky takim nuk është dalë me vendim, por këshilltarët e PD-së, LSI-së dhe PDI-së, duke injoruar autoritetet, vendosën që mbledhjen ta zhvillojnë të martën, në orën 09:00. Njoftimin për këtë mbledhje këshilltarët e mazhorancës së re nuk e kanë bërë në mënyrë zyrtare, por preferenciale, brenda forcave politike në mazhorancë. Për të realizuar mbledhjen, këshilltarët kanë kërkuar edhe ndihmën e policisë së rendit. Për këtë, mësohet se ata i kanë kërkuar prefektit të Fierit, Bujar Hasaj, që t‘i drejtohet zyrtarisht komisariatit të policisë. Në shkresën që prefekti i ka dërguar policisë lokale, specifikohet: "Policia e rendit duhet për të mbajtur rendin gjatë zhvillimit të mbledhjes, pasi në mbledhjet e mëparshme policia bashkiake nuk ka kryer kompetencat e saj dhe ka lejuar që punonjësit e ndërmarrjeve vartëse të bashkisë të protestojnë dhe të mos lejojnë zhvillimin e mbledhjes".

Dështimi i mbledhjes

Rreth 30 minuta pas orës së vendosur për nisjen e mbledhjes, këshilltarët e PD-së, LSI-së dhe PDI-së, i janë drejtuar sallës ku zhvillohen mbledhjet e këshillit. Por dera ka qenë e mbyllur me dryn. Pas hapjes së derës, teksa këshilltarët që kërkuan mbledhje të jashtëzakonshme po zinin vende, kanë hyrë punonjës të ndryshëm të administratës së bashkisë, si dhe dhjetëra punonjës të Ndërmarrjes së Gjelbërimit dhe të Pastrimit. Këta të fundit prej dy muajsh nuk kanë marrë rrogat dhe kanë kërkuar të jenë të pranishëm në mbledhje, në mënyrë që t‘u kërkojnë këshilltarëve miratimin e buxhetit. Meqenëse për mbledhjen nuk ishte njoftuar kryetari i këshillit, ajo ishte lënë të drejtohej nga sekretari, përfaqësues i PDI-së dhe nënkryetarja, përfaqësuese e LSI-së. Asnjë nga këta të dy nuk është lejuar ta nisë mbledhjen, pasi punonjësit e irrituar nuk kanë lejuar askënd të flasë. Disa nga punonjëset i janë drejtuar nënkryetares së këshillit, Valbona Mitros, përfaqësuese e LSI-së, duke e tërhequr nga krahu, sharë dhe fyer. Ky veprim është mbështetur nga punonjësit e tjerë. Për shmangien e acarimit të situatës, ka ndërhyrë policia bashkiake. Efektivat e kësaj të fundit kanë mundur të mbajnë në distancë punonjësit protestues nga këshilltarët. Meqenëse situata është acaruar së tepërmi, këshilltarët e djathtë kanë kërkuar edhe ndërhyrjen e policisë së rendit.

Përplasja e policive

Një orë para fillimit të mbledhjes, qyteti i Patosit është blinduar nga dhjetëra uniforma blu. Madje, në rrugën kryesore të qytetit, si dhe pranë bashkisë, kanë qenë të pranishëm edhe policë civilë. Policia në Patos drejtohej nga shefi i rendit i porsaemëruar, Ardian Merdani. Pak para fillimit të mbledhjes, shefi Merdani ka marrë takim me kreun e bashkisë, Bardhi Meli, të cilit i ka thënë se praninë e policisë e ka kërkuar prefekti dhe këshilltarët e djathtë. Ndryshe nga ç‘kishte premtuar për mosndërhyrje në sallën e bashkisë, shefi i rendit ka hyrë dhe së bashku me shefin e grupit të gatshëm kanë tentuar të largojnë me forcë personat e pranishëm në sallën e bashkisë. Ky veprim si dhe prania e disa policëve të rendit në sallën e bashkisë, ka bërë që punonjësit e irrituar të reagojnë dhe kërkojnë me forcë largimin e tyre nga salla e mbledhjes. Policia është larguar, por është rikthyer disa minuta më vonë. Kjo ka ngjallur zemërimin e nëpunësve, të cilët kanë penguar me trupat e tyre hyrjen e uniformave blu në ambientet e bashkisë. Pas konfrontimit trup me trup, policia e rendit është sprapsur. Shefi i rendit, Ardian Merdani, ka kërkuar takim me shefen e burimeve njerëzore, Shpresa Hoxha. Takimi është zhvilluar në një nga zyrat e katit të parë. Pas kontaktit me kreun e rendit, Shpresa Hoxha, ka thënë për gazetën "Shqip" se Merdani i kishte folur për një urdhër me shkrim për të nxjerrë me forcë protestuesit, por në fakt nuk e ka bërë prezent këtë urdhër. "Policia e rendit zbaton urdhrat e politikës në mënyrë të verbër dhe pikërisht kjo është parë edhe nga shefi i rendit, që tentoi të përdorë forcë mbi punonjëset protestuese", ka thënë shefja e burimeve njerëzore, Shpresa Hoxha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›