E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli bashkiak mblidhet në ilegalitet dhe shkarkon kryetarin

Pas situatës së krijuar mesditën e djeshme, 19 anëtarë të Këshillit të Bashkisë Patos janë mbledhur në një hotel, tetë kilometra larg Patosit, për të zhvilluar mbledhjen e jashtëzakonshme. Këshilli i Bashkisë Patos konfirmohet prej anëtarëve të tij, se është mbledhur në orën 14:10 në një nga mjediset private të hotel "Fierit", në qendër të qytetit të Fierit, pronë e Muharrem Stojkut, drejtorit aktual të KESH-it. Në mbledhje nuk ka qenë i pranishëm kryetari Maksim Goga, si dhe përfaqësuesit e PS-së dhe një pjesë e atyre të LSI-së. Pjesëmarrësit ishin të gjithë këshilltarët e PD-së, ata të PDI-së dhe dy anëtarë të LSI-së. Pika e parë e rendit të ditës së kësaj mbledhjeje ka qenë mocioni i votëbesimit të kryetarit të këshillit bashkiak, Maksim Goga. Me 19 vota pro Goga është shkarkuar nga posti që mbante. Më pas në rend të ditës ka hyrë pika e dytë që ishte emërimi i kreut të ri. Konfirmohet prej anëtarëve të PDI-së se fillimisht u zgjodh një komision i përbërë nga tre anëtarët: Nimet Musai, Neim Nazëraj dhe Adelina Shpërdheja. Dy kandidaturat për kreun e ri të këshillit ishin Leonard Behaj nga PD dhe Adelina Shpërdheja nga LSI. Pas votimit në mënyrë të fshehtë, përfaqësuesi i PD-së, Behaj, ka marrë 16 vota pro, 2 kundër dhe një fletë votimi ishte e pavlefshme. Gjithashtu konfirmohet se në mbledhjen "ilegale" është miratuar edhe buxheti për vitin e ardhshëm. Ndërkohë që mësohet se është miratuar lëvrimi i fondit të pagave për punonjësit e papaguar, fondi për ushqimin e çerdheve, si dhe është lënë që të hënën të zhvillohet mbledhja e radhës, ku do të diskutohet për bursat. Të 19 këshilltarët pjesëmarrës në mbledhjen e pasdites së djeshme e kanë cilësuar si të ligjshëm veprimin e kryer. Po ashtu të ligjshme ata kanë cilësuar edhe vendimet e marra.

M.Troka

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›