E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bashkia, 1000 zgjedhës më shumë, komisionerët kundërshtojnë listat

11/06/2005  Debate dhe reagime, ende nuk janë përcakuatur qendrat e votimit

DURRES - Bashkia e Durrësit ka shpërndarë dje listat zgjedhore, për KZZ e qytetit. Ky proces është pasuar me debate nga ana e komisionerëve të KZZ, të cilët kanë identifikuar më shumë parregullsi në lista, për sa i përkët mungesës së emrave apo edhe dublimeve e gabimeve “ortografike“. Nga ana e tyre, komisionerët kanë denoncuar edhe mosshpërndarjen e hartave të qendrave të votimit.

Debatet dhe kundërshtitë

Sipas këtyre listave, mësohet se në të pesë rajonet e qytetit janë mëse 1000 zgjedhës më shumë nga sa janë publikuar në listat paraprake të zgjedhësve.

Gjatë dorëzimit të listave është mësuar se ndryshimet në lista janë shumë të vogla krahasuar me listat paraprake dhe se janë shtuar vetëm 1116 zgjedhës të rinj, që kanë rezultuar të papërfshirë në listat e para.

Shifra e publikuar janë pasuar me regaime, sepse thuajse të gjitha shtabet kanë deklaruar se në listat paraprake kishte mangësi të dukshme, kryesisht në dublimin e emrave.

Madje, në një nga zonat e Durrësit, që ka edhe numrin më të madh të zgjedhësve, zona nr.28, është thënë se janë rreth 5000 emra të dubluar, ndërkohë që në listat përfundimtare nuk është vërejtur ndonjë ndryshim i dukshëm.

Lista zgjedhore

Sipas pasqyrave përfundimtare, në Durrës janë të regjistruar për votimet parlamentare të 3 korrikut 136410 zgjedhës, kundrejt 115500 zgjedhës për zgjedhjet e pushtetit vendor të vitit 2003. Indrit Puteci, koordinatori i procesit të regjistrimit në bashkinë e Durrësit, ka bërë të ditur se shtetasit e papërfsihë apo të tjerë që do të vërejnë pasaktësi në listat përfundimtare do të duhet të ankohen në gjykatë dhe jo më në pushtetin vendor.

Në listat paraprake në Durrës kanë qenë të regjistruar 135294 zgjedhës, ndërsa me listat përfundimtare janë 136410 votues dhe shtetas në mbi 1000 zgjedhës i përket shtetasve të paregjistruar. Numri më i madh i votuesve është në rajonin nr.5, me mbi 41 mijë zgjedhës, kurse rajoni numër 3 ka më pak se gjysmën e këtij numri.

Durrësi ka gjithsej gjashtë zona zgjedhore, por bashkia e këtij qyteti mbulon vetëm pesë prej tyre, ndërkohë që zona elektorale e Shijakut është në juridiksionin e bashksië së Shijakut.

Qendrat e votimit

Listat përfundimtare të zgjedhësve u janë dorëzuar dje kryetarëve të KZZ-ve, të cilët fillimisht kanë refuzuar tërheqjen e tyre. Shkak për këtë vendim janë bërë deklarimet e tyre se nuk mund të marrin listat për aq kohë sa Komisionet Zonale Zgjedhore nuk kanë listën e qendrave të votimit si dhe hartën e vendosjes së tyre. Komisioneri i KZZ nr.28 është shprehur se vonesa e kësaj harte do të ndikojë negativisht në përmbushjen e ligjit për publikimin e listave pranë qendrave të votimit dhe do të ketë pasoja negative. Ai ka pohuar se afati parashikon pesë ditë kohë për afishimin e tyre, por mungesa e hartës si dhe saktësimi përfundimtar i qendrave të votimit do të kërkojë më shumë kohë. Nga sa është diskutuar dje në bashkinë e Durrësit, mësohet se KZZ vazhdojnë të mos kenë njohuri se në cilin vend do të hapen qendrat e votimit, ndërkohë që është pohuar se një pjesë e tyre flitet se gjenden ngjitur pranë shtabeve elektorale të kandidatëve të subjekteve politike. Listat paraprake të zgjedhësve janë afishuar në përgjithësi në ato vende që kanë shërbyer tradicionalisht si qendra votimi dhe sipas koordinatorit të procesit të regjistrimit në bashkinë e Durrësit, Indrit Puteci, ato do të shërbejnë si të tilla edhe për 3 korrikun. E vetmja qendër votimi që nuk do të shërbejë më si e tillë është ajo me numër 1445, ndërkohë që është deklaruar se në pesë zona do të ketë 140 qendra votimi.

Rajoni nr. 1

20 967 votues, 28 qendra votimi

Rajoni nr. 2

21 473 votues, 27 qendra votimi

Rajoni nr. 3

19 231 votues, 20 qendra votimi

Rajoni nr. 4

33 293 votues, 33 qendra votimi

Rajoni nr. 5

41 446 votues, 32 qendra votimi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›