E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Luftë korrupsionit, sipas standardeve ndërkombëtare“

11/06/2005  Seminari rajonal, “këshilla“ për qeverinë shqiptare

DURRES – Reformimi i ligjeve për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe përshtaja e tyre me standardet ndërkombëtare, është evidentuar si domosdoshmëri gjatë një seminari rajonal të zhvilluar dje në Durrës, me temë “Zbatimi i traktateve: Konventat e Këshillit të Evropës dhe të Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit”. Ky seminar zhvillohet nën kujdesin e ministrit të Shtetit për Koordinimin me mbështetjen e Këshillit të Evropës dhe të iniciativës Anti-Korrupsion të Paktit të Stabilitetit (SPAI-RSLO).

Seminari

Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë përfaqësues nga nëntë vende të rajonit si Bosnje-Hercegovinë, Kroaci, Maqedoni, Moldavi, Mali Zi, Serbi, Rumani, Kosovë dhe Shqipëri.

Korrupsioni dhe ndikimi i tij i drejtpërdrejtë në krimin e organizuar në vendet e rajonit, ka nxitur qeveritë e këtyre vendeve që të hartojnë politika të përbashkëta dhe të përshtatshme me ato të vendeve të BE.

Seminari i programuar për t’u mbajtur në dy ditë ka shkëmbyer mendimet e ekspertëve dhe përfaqësuesve nga institucionet e drejtësisë, politikës, ekonomisë, financës etj., të cilët janë përqëndruar veçanërisht në plotësimin e kornizave ligjore për t’i mbyllur hapësirat fenomenit të korrupsionit.

Në këtë seminar ka përshëndetur ministri i Shtetit për Koordinimin, Marko Bello, i cili në fjalën e tij ka theksuar se “qeveria shqiptare ka ndërmarrë një sërë reformash për forcimin e bazës ligjore për masat antikorrupsion, ku një vend shumë të rëndësishëm gjen konsolidimi i forcës goditëse të ligjit”.

Bello

Më tej Bello është ndaluar te paketa ligjore “Antimafia” për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar si dhe të ligjit të sapofutur në fuqi për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike.

Çështje që i është kushtuar kujdes i veçantë në ditën e parë ka qenë ajo e përafrimit të legjislacionit me Konventat e Këshillit të Evropës dhe të Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit, statusin e përafrimit në këto konventa, ndërkohë që të gjithë diskutantët e vendeve pjesëmarrëse e kanë cilësuar korrupsionin si faktorin kryesor që pengon integrimin e vendeve në komunitetin e bashkuar evoropian.

Ekspertë të palës shqiptare kanë thënë se ndryshimet e bëra në ligjislacion kanë synuar të detajojnë ndëshkimin për korrupsion edhe të funksionarëve të lartë shtetërorë, apo ata të drejtësisë të vlerësuar si persona me imunitet dhe të pandëshkueshëm në këtë drejtim.

Deklarimet

Sipas deklarimeve të bëra në këtë seminar, qeveria shqiptare ka hartuar kohët e fundit ligje shumë të avancuara për të penalizuar edhe funksionarë publik, gjyqtarë, prokurorë, deputetë etj., të implikuar në korrupsion. Por, nga ana tjetër është theksuar se një sërë ligjesh do të duhet të reformohen, për t’i përshtatur me standardet ndërkombëtare në këtë drejtim. Përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë, Aljon Cenolli, tha se reformimi do të përfshijë Kodin Civil, Kodin e Punës, Statusin e Nëpunësit Civil, Kodin e Procedurës Civile, ligjin për prokurimet publike etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›