E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia, 350 banesa sociale për të pastrehët

Rreth 350 banesa sociale do të ndërtohen në zonën e ish-kombinatit të Autotraktorëve në kryeqytet.

Ky është projekti më i ri i Bashkisë së Tiranës, që synon të zbusë situatën e vështirë për familjet e pastreha në kryeqytet. Punimet priten të fillojnë në muajin shtator. Projekti, parashikon ndërtimin e apartamenteve në pallate 6 katëshe, ku do të banojnë familjet, të cilat figurojnë në listat e të pastrehëve në Bashkinë e Tiranës. Familjet që do të përfitojnë nga ky projekt do të përzgjidhen nga Komisioni i Strehimit pranë këtij institucioni, sipas një sistemi pikësh.
Ndërtimi i banesave sociale mundësohet nga një kredi prej 5,6 milion eurosh, akorduar qeverisë shqiptare nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës, shumë e cila mbulon 60% të kostos totale të projektit, ndërkohë që 40% e kësaj kostoje do të financohet nga buxheti i Bashkisë së Tiranës. Familjet që do të përfitojnë nga ndërtimi i banesave sociale, do të paguajnë një qira sociale, e cila është në vlera modeste krahasuar me ato të tregut. “Projekti për ndërtimin e banesave sociale shënon edhe një epokë të re në marrëdhëniet mes administratës lokale dhe qytetarëve të Tiranës, si një provë e fuqizimit në rritje të kapaciteteve investuese”, sqaron bashkia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›