E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohen fotot e të dashurave të Ibrahim Kodrës

Zbulohet albumi personal me fotografi të Ibrahim Kodrës.

ANILA MEMA

Një album me foto të rralla të artistit, që nga 1937 deri në vitet ’70. Janë një seri e gjatë portretesh të piktorit, të të dashurave të tij, të fejuarave, të njerëzve që i ndenjën pranë dhe që lanë gjurmë në jetën e maestros. Janë foto që zbulohen pas disa vitesh në shtëpinë e Kodrës në Milano, album të cilin mjeshtri e kërkonte prej vitesh, mes rrëmujës së vazhdueshme në ndërtesën dykatëshe, tashmë kthyer në një muze. Ekskluzivisht disa prej tyre janë mundësuar për gazetën “Panorama”. Mes tyre janë edhe disa foto me portretet e të dashurave të Ibrahim Kodrës apo vetë piktori me to, dalë në vite të ndryshme. Ndërsa një tjetër fotografi e rrallë është ajo e vitit 1937, ku vetë artisti me një palë pantallona të shkurtra, ka dalë me një gjyle në dorë. Eshtë koha kur mjeshtri është shpallur kampion i Shqipërisë në hedhjen e peshave. Gjithsej, ky album përmban rreth 90 fotografi, aq sa vite shënoi dje, mjeshtri i madh i post-kubizmit, piktori i famshëm shqiptar. E vetmja ditë e shënuar për artistin e madh, që përbënte ngjarje çdo vit dhe që mjeshtri e festonte si dasmë shqiptare, dje kaloi heshturazi në Tiranë, në Durrës, në Ishëm, Kosovë dhe Itali... Në këtë të fundit, një projekt i ndërmarrë nga shoqata, që mban të njëjtin emër në Milano, ka menduar një aktivitet të veçantë për ditëlindjen e mjeshtrit. Një projekt që mendohej të organizohej në Tiranë, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, por që nuk gjeti rrugëzgjidhje. Tashmë, do të organizohet në datën 3 maj në Milano, ku gjithçka është pothuajse e përfunduar për realizimin e saj. Kuratori i testamentit të maestro Kodrës, dhe i veprave të tij pas vdekjes, Fatos Faslliu, me rastin e 90-vjetorit të artistit, na hedh dritë mbi ditëlindjet e tij. Për mënyrën se si organizonte Kodra ditëlindjet, ku dhe me kë i festonte. Na hedh dritë dhe mbi detaje të hollësishme për fotografitë, për albumin dhe mijëra foto të post-kubistit, i cili sipas tij, mund të jetë njeriu më i fotografuar në botë.
Ç’është ky album fotografik që keni zbuluar me rastin e ditëlindjes së maestro Ibrahim Kodrës?
Albumi është gjetur pas dy vjetësh kërkimesh të vazhdueshme nëpër arkivin personal të Ibrahim Kodrës. Përmban më shumë se 90 fotografi, ku ka dalë me femra, ta dashurat apo të fejuarat e maestros. Mes tyre, ka fotografi me njerëz të ndryshëm, ku në njërën prej tyre mendohet të ketë dalë te Pallati i Mbretit Ahmet Zog. Të gjitha fotografitë janë bardh e zi. Një prej fotove që unë mund ta quaj një risi të veçantë është edhe një foto që i përket vitit 1937, kur është shpallur kampion i hedhjes së peshave. Janë fotografi të vjetra, të hershme dhe për këtë maestro thoshte shpesh: “Kam një album personal që nuk ia kam treguar njerëzve, i cili është këtu, por nuk e dinte se në ç’vend e kishte lënë”. Zakonisht ai ishte një person shumë i çuditshëm, se çdo gjë që kishte e hidhte diku dhe vështirë ta gjeje përsëri.
Si e festonte ditëlindjen maestro, kush ia organizonte?
Që nga viti 2002 e deri në vitin që u nda nga jeta, organizator i ditëlindjeve të tij kam qenë unë dhe shoqata. Më parë, ditëlindjet, maestro Kodra i ka festuar me miq të tjerë. Një vit ia ka festuar Behxhet Pacolli në Lugano, dhe një vit tjetër një miku i vet, avokat. Vitet pas 2000, ditëlindja e Kodrës u kthye si një festë e përbashkët e komunitetit shqiptar në Itali, ku nuk mungonin as miqtë e tij italianë. Mbaj mend vitin e parë, përveç festimit të ditëlindjes, maestro na ka mbajtur deri në tre të natës. Ditëlindjet e tij ktheheshin në dasma shqiptare, ku edhe vetë këndonte me kitarë, këngë të vjetra shqiptare. “Do vemi, s’do vemi...”, apo “O leshverdhë, o ledhatare”,
I pëlqenin dhuratat dhe çfarë kishte ndonjë për zemër?
Për dhurata nuk donte t’ia dinte. Thjesht kishte qejf që mbrëmja të zgjaste sa më shumë. Duke qenë jetim, maestro Kodra kohët e fundit ishte bërë shumë sentimental ndaj ditëlindjes. Kjo ditë ishte ngjarje e shënuar për të.
Eshtë i vetmi album personal i Kodrës, apo ka edhe të tjerë dhe pse e kërkonte kaq shumë mjeshtri?
Fotografitë e tij janë të shumta në shtëpinë muze. Mund të them se në shtëpinë e tij ka mbi 10 mijë të tilla, një mal fotografish dhe besoj se është njeriu më i fotografuar në botë. Por, ky është albumi i vetëm personal i tij, mes të cilëve ka dhe fotografitë e të dashurave e të fejuarave të tij. Kur kemi bërë inventarin e shtëpisë pas vdekjes së mjeshtrit Kodra, kemi gjetur edhe shumë letra të tij e gazeta që shkruanin për të. Unë e theksova, Kodra ishte njeri shumë i çrregullt në mirëmbajtjen e këtyre gjërave, i hidhte diku aty nëpër shtëpi dhe vetëm tani që jemi duke e seleksionuar, kemi nxjerrë në dritë edhe këtë album.
Në këtë album sheh edhe shumë femra dalë bashkë me maestron apo edhe vetëm? Janë mikesha të tij?
Në këtë album personal, që Ibrahim Kodra e kërkonte femrat janë të fejuarat e tij, (në Itali, të fejuara u thonë edhe atyre që nuk ke bërë ceremoni zyrtare). Njëra prej tyre është e fejuara e vërtetë e piktorit, me të cilën ka jetuar kur ishte 30 vjeç dhe për të ka ndryshuar edhe fenë nga mysliman, në katolik. Ndërsa në një tjetër foto të vitit 1950, njëra nga të dashurat e maestros, e cila sot besoj se jeton në Amerikë dhe është modele, ia ka dhuruar Kodrës me mbishkrim fotografinë. Por veç saj janë edhe disa fotografi të tjera të saj. Ka femra të ndryshme që bëjnë pjesë në jetën e Kodrës.
Matilde, ka qenë një nga femrat që maestro e ka dashur shumë. Çfarë tregonte për të dhe si e kujtonte?
Matilde, ka qenë dashuria më e madhe e jetës së tij. Madje maestro kur e ka humbur atë, ka dashur të vrasë edhe veten. Në fakt, unë jam në kërkim të kësaj femre, kam njohur disa njerëz që e njohin dhe po mundohem që të arrij të flas me të. Nuk kam arritur ta zbuloj se ku jeton, kush është në të vërtetë! Thjeshtë di që ata kur janë ndarë, janë ndarë me këngë. Kjo lidhje ka lënë gjurmë tek Kodra dhe të dy kanë qenë së bashku për tre vjet. Të mos harrojmë që diferenca mes tyre ka qenë 35 vjet.
Nga se përbëhet arkivi i Kodrës, ai i pazbuluari?
Ne jemi akoma duke seleksionuar çdo gjë në shtëpinë e maestro Kodrës, se sikurse e kam përsëritur në të nuk dihet çfarë ka, është një minierë ari dua të them. Por këto ditë mes të tjerash kemi gjetur edhe një letër origjinale të shkruar me dorë nga Kodra, ku i shkruan se i dhuron Galerisë së Prishtinës 20 vepra. Bëhet fjalë për një letër të vitit 1968, kur piktori ia ka dhuruar drejtorit të galerisë së asaj kohe, profesor Shyqyri Nimanit. Kjo letër na bën të mendojmë se pse maestro Kodra s’i ka dhuruar gjë Shqipërisë, por Kosovës?
Ju keni një përgjigje për këtë?
Unë mendoj, meqë Shqipëria nuk ka bërë asgjë për Kodrën edhe ai nuk i ka dhuruar kurrgjë asaj. Ndërkohë, tjetër gjë ka bërë Kosova me të. Ka bërë shumë, çdo vit e thërriste për ekspozita, bashkë me bashkëpunëtorët e tij, madje në vitin 1972-1973, galeria e saj i ka organizuar për tre muaj rresht një ekspozitë personale. Ndaj më vjen keq që në Shqipëri nuk është bërë gjë. 

Synimet e shoqatës “Ibrahim Kodra”

• Ka depozituar kërkesën për emërimin e një rruge ose sheshi I. Kodra pranë Këshillit Bashkiak të Durrësit
• Të bëhet shtëpia e tij në Milano “Piazzale Lagosta 2”, shtëpi muze
• Çdo 2 vjet do të organizojnë çmimin “Ibrahim Kodra” në pikturë, për talentet e reja si edhe bursa studimi për të rinjtë e talentuar në fushën e artit.
• Katalog i përgjithshëm me vepra që përmbledhin trashëgiminë artistike të maestro Kodrës.
• Ekspozitë retrospektive në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Ulqin
• Monografi historike nga prof. Hasan Ulqini.
• Pasurimi i fondit të veprave nëpërmjet blerjes e donacioneve.
• Ngritjen e një monumenti në qytetin e Durrësit.
• Të ndihmojë, sensibilizojë e stimulojë institucione, shoqata e individë të ndryshëm për të kultivuar mesazhin artistik të maestro Kodrës në botë.
• T’i rikujtojë kryeministrit Sali Berisha premtimin e tij pas
funeralit të piktorit, që Akademia e Arteve në Tiranë të mbajë emrin “Ibrahim Kodra”.

Aktiviteti në Milano

Një aktivitet që ishte menduar të organizohej me rastin e ditëlindjes së mjeshtrit të pikturës, Ibrahim Kodra nga shoqata që mban të njëjtin emër në Milano, është shtyrë për në datën tre maj. Është një aktivitet që ishte menduar të organizohej në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, por që nuk gjeti rrugëzgjidhje. E ndërkohë i njëjti aktivitet organizuar vetëm nga shoqata do të zhvillohet në datën 3 maj, në Milano. Do të jetë një përkujtimore solemne, që do të organizohet me kontributin e komunës në Milano, e cila ka realizuar pankartat, ka vënë në dispozicion sallën, ka realizuar ftesat, etj.

Harrohet Ibrahim Kodra për 90-vjetorin e lindjes

Kur u nda nga jeta piktori i njohur Pikaso, prapa la një rrëmujë të madhe, la shumë borxhe. Borxhe, të cilat më pas i shlyen nga shteti, e për më tepër sot veprat e Pikasos ndodhen në tre muze të mëdha dhe të rëndësishme, një në Malaga, një në Barcelona dhe një Madrid. Ibrahim Kodra nga kritika e huaj është quajtur shpesh Pikaso shqiptar, një post kubist që ka lënë mjaft vepra për të cilat nuk ka çmim t’i paguajë. Të dy piktorët e famshëm së bashku kanë çelur në vitin 1954 një ekspozitë në Spanjë, e cila pati shumë bujë atë kohë. Ndërkohë, thonë se shtëpia e tij është një minierë ari, që sa herë të rrëmosh nëpër të, gjithmonë ke çfarë zbulon. Por për të sot nuk ka një muze! E aq më tepër, nuk ka një vend, ku të prehet i qetë. Edhe sot pas më shumë se dy vitesh, mjeshtri prehet në kodrën e Ishmit, në një vend që s’ka dashur kurrsesi të ishte. Në testament e shpreh këtë. Edhe pse pas shumë përpjekjesh të kuratorit për varrimin e tij në një vend më të mirë, si Tirana ose Durrësi, nga shteti shqiptar asgjë nuk është realizuar ende. Jo vetëm kaq, madje as dje në ditën e tij të lindjes, në përvjetorin e tij të 90-të, nga ministria e kulturës, apo institucione të tjera shqiptare nuk u realizua asgjë përkujtim për mjeshtrin Kodra. Në Durrës, po aq edhe në Kosovë, vendin që Kodra ka dashur shumë, galerisë kombëtare të së cilët i ka dhuruar edhe 20 piktura. Ministria u mjaftua vetëm pak ditë më parë, me shfaqjen e një filmi dokumentar për piktorin në ambientet e saj, të realizuar nga producenti Agim Pipa, film i realizuar disa vite më parë për “TV Alsat”, projekt i mbështetur nga MTKRS, me shumë 1.200.000 lekë. Ndërkohë në Milano, sikurse është festuar çdo vit ditëlindja e maestros edhe këtë vit në datën 3 maj do të organizohet një sesion shkencor për të. “Arsyeja që ne nuk e organizuam dje në 22 prill, kur është edhe dita e lindjes së tij është se nuk u koordinuam me Ministrinë e Kulturës për realizimin e këtij aktiviteti. Dhe meqë s’u bë, e shtymë për në tre maj të realizojmë këtë përkujtimore solemne”, thotë kuratori i Kodrës, i vetmi njeri që s’mund ta braktisë kurrë maestron shqiptar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›