E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga Gërdeci në Gërdec

Sokol Dervishaj

Pasi pashë shfaqjen me  absurde dhe të pashembullt të dhunimit të demokracisë nga Parlamenti i përçudnuar i Dushkut, mu kujtua një dokumentar mbi Hitlerin dhe nazizmin: “Nga Nyrenbergu në Nyrenberg”, i cili pasqyron historinë e turpshme të ngritjes dhe rënies së një mostre antidemokratike. Shfaqja e djeshme më krijoi të njëjtën ndjesi, por kësaj herë jo me pikë reference Nyrenbergun, por Gërdecin, jo shumë larg sallës së krijimit të maxhorancës më qesharake dhe imorale të historisë demokratike të Shqipërisë, PD-PS, që deformoi Kushtetutën e Republikës të miratuar me referendum popullor në vitin 1998. Shfaqja triumfale që filloi pak javë më parë në Gërdec nga neodiktatori i Shqipërisë dhe e mbështetur pa asnjë skrupull nga pseudosocialistë pa ngjyrë, pa rrënjë dhe pa identitet, hodhi në erë, sikurse nazizmi në Nyrenberg, themelet e demokracisë dhe shtetit ligjor. Minoi demokracinë, për ta zëvendësuar atë me një sistem të ri politik që pa asnjë ekuivok duhet konsideruar si diktaturë, por që këta dishepuj të zhbërjes së shqiptarëve që duan t’ua shesin si formën e re të republikës.
 
Me ndryshimet e fundit në Kushtetutë, forma e re e shtetit tonë vetëm demokraci nuk mund të quhet, pasi ajo është një rrëshqitje e rrezikshme drejt një diktature në kushte moderne, një sundim individual e i pashembullt i kreut të qeverisë në dëm të kreut të shtetit, institucionit të kohezionit kombëtar dhe garantit të Kushtetutës, Presidentit të vendit. Në dëm të popullit që s’i mbetet të zgjedhë më asgjë dhe në dëm të vetë fateve të vendit dhe të ardhmes së tij.
 
Sot, shqiptaret nuk kanë më përballë vetëm kraterin e Gërdecit, shkaktari i së cilës triumfoi me votat e Partisë Socialiste, që ka harruar se nga vjen e që për më pak nuk e di se ku shkon, por për shkak të kësaj aleance të re duhet të përballen tashmë me një krater shume më të thellë, shumë më të kontaminuar, shumë më të rrezikshëm e vrasës, shumë më kriminal, i cili nuk do të marrë vetëm jetën e disa dhjetëra fukarenjve, nuk do të shkatërrojë me vetëm disa qindra shtëpi a disa mijëra biznese. Ky krater i ri dhe kjo megabombë antidemokratike synon të vrasë shpresën e shqiptarëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme, aspiratën për demokraci e integrim, të gjithë arritjet e deritanishme të 18 viteve demokraci, shkatërrimin përfundimtar të esencës së vetë demokracisë, përfaqësimit dhe të drejtës së shtetasve për të zgjedhur e për t’u zgjedhur.
Tashmë, Gërdecianët e rinj e bënë Dushkun të duket një lodër fëmijësh. Tragjedinë të shndërrohet në pseudo-unitet antidemokratik. Të ardhmen e fateve të shqiptarëve në gjënë më të parëndësishme për hierarkët e kësaj shfaqje tragjike, pasi këta zëvendësuan Dushkun me Gërdecin dhe rreth kraterit të tij lidhen aleancën e re të paturpësisë, shpërdorimit të pushtetit, shkeljes të së drejtave të shqiptarëve.
 
Historia e Nyrenbergut është shumë domethënëse. E tillë do të jetë dhe historia e Gërdecit dhe Kushtetutës që ajo polli, pasi shkaktarët e saj do të marrin nga pas dhe turpin që i shkaktuan vendit, dëmin që i shkaktuan demokracisë dhe talljen e përditshme që po bëjnë me qytetarët e Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›