E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përçarja te PDK, shkarkohet kreu i grupit Ujka

Pas përçarjes lidhur me mënyrën e votimit, por edhe me deklaratat e fundit brenda radhëve të PDK-së, kryetari i kësaj partie, Nard Ndoka, ka shkarkuar dje kreun e grupit parlamentar Pashko Ujka.

Përmes një letre dërguar protokollit të Kuvendit njoftohej se kryetar i grupit parlamentar nga dita e sotme do të jetë Ndue Shpani, njëherësh edhe sekretar i Përgjithshëm i kësaj partie. Letra mbante firmën e 6 deputetëve demokristianë. "Partia Demokristiane njofton se duke filluar nga data 22 prill 2008 kryetar i grupit parlamentar të saj do të jetë z. Ndue Shpani, njëherësh sekretar i Përgjithshëm i PDK. Vendimi për të pranuar dorëheqjen e ish-kryetarit të grupit, z. Ujka erdhi edhe për shkak të qëndrimeve të tij personale dhe të përsëritura politike kundër vullnetit politik të grupit parlamentar, si dhe paaftësisë së tij për të menaxhuar dhe drejtuar me kompetencë grupin parlamentar", thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të PDK-së. Por i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kryetarit të shkarkuar të grupit demokristian, Pashko Ujka. Në një konferencë për shtyp ai ka theksuar se, letra që Ndoka ka çuar në Kuvend nuk është e rregullt pasi ajo ka firmat e 6 deputetëve, ndërkohë që sipas tij, me rregullore duhet të jenë të paktën 7 firma që propozojnë ndryshimin e kryetarit të grupit. Ujka ka kritikuar mënyrën se si kreu i PDK-së, Nard Ndoka, po drejton këtë forcë politike. Një ditë më parë ai bëri të ditur se, grupi parlamentar nuk ka një qëndrim për çështjet kryesore duke shtuar se ai nuk po funksionin siç duhet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›