E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Reforma zgjedhore, i dhamë fund deformimeve

Me ndryshimet e reja kushtetuese mbyllëm një kapitull të gjatë deformimesh të vullnetit të zgjedhësve.

Aristir Lumezi

Kryetari i PS, Edi Rama, gjatë një konference dje për shtyp, tha se: "Eshtë koha e vënies së interesave të Shqipërisë, në axhendën e një bashkimi të ri"
Sipas tij: "Kjo reformë e miratuar me konsensus të gjerë, pas një debati të gjatë e të ndezur natyrshëm mes forcash politike, hap një kapitull të ri ballafaqimesh mes partive shqiptare, të cilat nuk mund të marrin më atë që nuk u takon e s'mund të jetojnë më në kurriz të njëra-tjetrës, duke luajtur kukafshehtas me sovranin popull". Kryesocialisti ftoi të gjithë ata që votuan dhe u pozicionuan kundër kësaj reforme të domosdoshme, që të kuptojnë se ky ndryshim themelor nuk është kundër tyre e as nuk përjashton kënd nga mundësia për të konkurruar në mënyrë të lirë të ndershme. "Partia Socialiste nuk e ka ndërmarrë këtë nisëm transformuese për të përjashtuar nga konkurrimi aleatët e saj të djeshëm, të sotëm a të nesërm", theksoi ai, ndërsa nënvizoi se: "PS është e angazhuar për bashkëpunim më aleatët në betejën historike të 2009-ës për të fituar ballafaqimin mes një politike të re përtej të majtës e të djathtës së vjetër dhe politikës së dështuar të 17 vjetëve tranzicion". Ndryshimet kushtetuese, Rama i cilësoi një nismë radikale për t'i dhënë politikës përmbajtje, për t'u dhënë programeve peshë në ballafaqimet elektorale, për t'u dhënë votuesve një pamje transparente të ekipeve që do të realizojnë programet e votuara dhe për t'i dhënë çdo alternative politike, lidershipin që i del garant programit dhe ekipit në sytë e çdo zgjedhësi. Duke folur për rëndësinë e sistemit zgjedhor që parlamenti miratoi me shumicë votash, Rama tha se: "Nisma kushtetuese është një nisëm radikale për t'i dhënë politikës përmbajtjen". "Qëllimi i saj është për t'u dhënë programeve peshë në ballafaqimet elektorale, për t'u dhënë votuesve një pamje transparente të ekipeve që do të realizojnë programet e votuara dhe për t'i dhënë çdo alternative politike lidershipin që u del garant programit e ekipit në sytë e çdo zgjedhëseje dhe zgjedhësi", tha Rama.

Ceka: PD-PS duan të eliminojnë pluralizmin

Kreu aleancist Neritan Ceka, i cilësoi ndryshimet kushtetuese si përpjekje për të eliminuar opozitën dhe pluralizmin në Shqipëri. Gjatë një komunikimi me mediat, Ceka tha se: "Ndryshimet e djeshme kushtetuese synojnë instalimin e një shteti dypartiak pa opozitë". Sipas tij: "Kemi një bashkim të interesave të partive të mëdha, PS-PD, dhe përpjekje për të eliminuar opozitën, pluralizmin politik dhe për të integruar brenda këtyre interesave dhe partitë e tjera politike". "PAD nuk është pjesë e këtij pazari. Ajo do të vazhdojë luftën për ndërtimin e shtetit të së drejtës, pluralizmit të vërtetë politik dhe opozitës serioze shqiptare, në bashkëpunim me forca të tjera, të cilat dje treguan qartë që nuk janë pjesë e këtij pazari", u shpreh Ceka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›