E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza e çmimeve do thellohet

Kriza e çmimeve do të thellohet edhe më shumë.

fabiola Çela

 Pas alarmit të dhënë nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar për rrezikun e krizës botërore të çmimeve të ushqimeve, kreu i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, ka vënë në dukje efektet negative që jep kjo krizë në ekonominë vendase. Duke qenë se, Shqipëria është një vend importues, rritja e vazhdueshme e çmimeve të mallrave ushqimorë në tregjet botërore do të reflektohet edhe në tregun vendas. Kjo do të thotë se, çmimet e produkteve ushqimore në vend rrezikojnë të rriten sërish. Por kjo do të ndikonte në rritjen e nivelit të inflacionit në vend. Në një situatë të tillë, guvernatori i Bankës së Shqipërisë i ka kërkuar qeverisë që të marrë masat e duhura për të zhvilluar sektorin e bujqësisë, pasi vetëm kjo mund të zbuste disi çmimet e ushqimeve.
Çmimet
Inflacioni në muajin mars arriti në 4.6 për qind, duke tejkaluar kështu çdo limit të vendosur nga Banka e Shqipërisë dhe qeveria. Shkak për këtë rritje të inflacionit ishin tarifat e reja të energjisë, si dhe rritja e çmimit të produkteve ushqimore. Por niveli i inflacionit rrezikon të jetë sërish i lartë, pasi kriza e çmimeve të mallrave ushqimore, që ka pushtuar shumë vende të botës pritet të reflektojë efektin e saj negativ edhe në Shqipëri. “Kriza botërore e ushqimeve do të vazhdojë për një periudhë afatmesme dhe duhen masa urgjente për strukturimin e bujqësisë. Presionet në kahun e ofertës do të shtohen dhe kjo do të ndikojë në inflacion”, ka deklaruar dje gjatë raportimit në komisionin e Ekonomisë, guvernatori Ardian Fullani. Por nga ana tjetër ai ka theksuar se BSH, do të mbajë me çdo kusht inflacionin nën kontroll, duke bërë përpjekjet e saj. Ndërkohë, guvernatori ka theksuar rëndësinë që ka zhvillimi i sektorit bujqësor. “Shfrytëzimi racional i tokës merr një rëndësi të dorës së parë, duke filluar me sipërfaqet e mbjella. Në fakt, është një tërësi reformash strukturore, të cilat fillojnë që nga titulli, regjistrimi, hipotekat, kolaterali dhe njëkohësisht një sërë rregullimesh që duhen bërë në sistemin e bujqësisë për ta bërë atë sa më kredibël”, ka thënë Fullani. Çmimet e produkteve ushqimore dhe bujqësore në tregjet botërore kanë regjistruar një prirje rritëse që prej vitit 2001, ndërkohë që përshpejtuan ndjeshëm ritmet gjatë gjysmës së dytë të vitit 2007. Sipas të Bankës Qendrore Europiane, rritja e fundit e çmimeve të produkteve ushqimore ka ardhur kryesisht nga faktorë të kahut të ofertës, si rritja e çmimeve të lëndëve energjetike, shtrenjtimi i plehrave kimike, nivelet e ulëta të rezervave dhe moti i thatë. Në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria ka qenë midis vendeve që e kanë ndjerë më shumë rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore, kryesisht drithit. Dhe meqë kategoria e ‘Ushqimeve të papërpunuara’, zë peshën më të madhe në shportën e mallrave të konsumit rreth 24 për qind, për shkak të mungesës së prodhimit në vend dhe ndoshta edhe për motive spekulimi nga tregtarët me pakicë, kostot e rritura iu kaluan konsumatorit vendas.

Deficiti, tre herë më i lartë se në 2007

Këtë vit deficiti buxhetor pritet të jetë më i lartë së vitin e kaluar. Shkak për këtë janë kreditë në shuma të mëdha, që qeveria shqiptare ka marrë për financimin e projekteve rrugore dhe në mënyrë të veçantë, huaja e marrë për rrugën Durrës-Kukës. “Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë” SOROS, në kuadër të projektit “Monitorimi i buxhetit të shtetit 2008”, ka organizuar dje një tryezë me temë “Buxheti 2008: Problematika që shoqëron alokimin e fondeve dhe zbatimin e tij në këtë fillimviti”. Gjatë diskutimeve, ekspertët e ekonomisë kanë vënë në dukje të gjitha risqet me të cilat përballet buxheti i këtij viti. “Deficiti buxhetor edhe në raport me PBB, është pothuajse më shumë se tre herë se sa ai i vitit 2007”, ka thënë ekonomisti Gjergj Teneqexhi. Deficiti buxhetor në 2008 do të jetë 7.9 për qind për të produktit të brendshëm bruto duke tejkaluar me më shumë se 50 për qind limitin e vendosur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Adriana Berberi ish-zëvendësministre e Financave e ka parë si shumë shqetësuese rritjen e deficit buxhetor. “Viti 2008 ka një buxhet ku deficiti në mënyrë absurde rritet vetëm për një rrugë e cila është shumë e rëndësishme, por që në fund të fundit tregoi që nuk ishte e parapërgatitur me projekte”, tha Adriana Berberi. Ndërsa, sipas përfaqësues të FMN-së Linda Spahia: “Një mision tjetër i Fondit do të vijë në dy javët e para të majit dhe situata do të rishikohet përsëri për të parë nëse ky fillim viti a i përgjigjet rreziqeve të cilësuara që ka ekonomia globale”. Sipas ekspertëve të ekonomisë, për vitin 2008 është shumë e rëndësishme që të investimet publike të realizohen në kohën e caktuar. Madje një problem sipas tyre janë edhe ndryshimet e shpeshta në legjislacionin fiskal. Ekonomistët theksuan se këto ndryshime nuk duhen ndërmarrë pa marrë parasysh impaktin që ato do të japin gjatë zbatimit të tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›