E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia Fier, miraton buxhetin e 2009-s, më shumë të ardhura

Pamje nga Fieri

Fier, 1 Shkurt, 14:38, NOA - Miratohet buxheti i Bashkisë së Fierit. Sipas të dhënave, këtë vit, bashkia pritet që të jenë më të mëdha sesa ai i vitit paraardhës.

Shifra prej 732 milion lekësh të reja e miratuar me shumicë votash në Këshillin Bashkiak shënon një rekord të ardhurash për qytetin e Fierit. Në planin e të ardhurave për vitin 2009 është parashikuar një rritje prej 62% krahasuar me realizimin e pritshëm të vitit 2008.

Kjo rritje përfaqëson efektin e të ardhurave nga procesi i legalizimeve të ndërtimeve informale në masën 43 për qind, shtesë nga donatorët 13 për qind dhe 6 për qind një rritje nga elementët e tjerë të strukturës të të ardhurave.

Vetëm nga procesi i legalizimit janë parashikuar të arkëtohen rreth 132 milion lekë të reja. Nga kjo shifër rekord të ardhurash që Bashkia pritet të ketë gjatë këtij viti, 32 për qind e tyre janë parashikuar të shkojnë për investime.

Përsa i përket taksave apo tarifave vendore nuk është parashikuar asnjë rritje e tyre si për biznesin ashtu edhe për barrën fiskale të qytetarëve. Rritja e të ardhurave nuk është mbështetur në rritjen e nivelit të taksave , por në rritjen e numrit të bizneseve dhe menaxhimin efektiv të të ardhurave vendore.

Numri i bizneseve të vegjël të regjistruar parashikohet të shkojë në 2054 ose 11 për qind më shumë se numri i tyre gjatë vitit 2008. Ndërsa bizneset e mëdha do të jetë 510. Rritja e të ardhurave në Bashkinë e Fierit do të ketë një impakt pozitiv për të gjithë komunitetin, sidomos në fushën e investimeve.

b.a/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›