E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia: Gati të rindërtojmë Shtëpinë Muze. Lame: Atentat ndaj historisë

—-Nga Anisa Ymeri—-

Korçë- Kryebashkiaku i Korçës Niko Peleshi, pasi denoncoi publikisht shkatërrimin e Shtëpisë Muze të Republikës, deklaroi se bashkia është e gatshme të financojë rindërtimin e kësaj godine për tja rikthyer atë qytetit dhe historisë së Shqipërisë, nëpërmjet një fondi të posaçëm të bashkisë.

Tashmë në Ministrinë e Kulturës është depozituar kërkesa për të lejuar bashkinë e qytetit të nisë rindërtimin nga e para të Shtëpisë së Flamurit në Korçë dhe për ta pasur prezente fizikisht më 28 Nëntor këtë vlerë kulturore dhe historike të qytetit. Sakaq mësohet se pas një denoncimi të bashkisë të depozituar pranë Prokurorisë së Korcës , kjo e fundit ka nisur hetimet për gjetjen e personave të cilët kanë shembur ndërtesën. Por se çdo të ndodhë me këtë godinë, mbetet në duart e MTKRS-së që të vendosë nëse do e marrë në konsideratë këtë kërkesë për financim të Bashkisë Korçë, apo do të japë një tjetër zgjidhje.

Shtëpia e flamurit ku Themistokli Gërmenji në 10 dhjetor 1916 e shpalli Korcën Krahinë Autonome thuhet se është shkatërruar me mjete të rënda dhe pronarët e saj mes të cilëve edhe ndërtues, çuditërisht nuk kanë reaguar.

Shtëpia e Republikës në Korçë vijon të jetë e listuar si monument kulture i kategorisë së pare, ndonëse prej mbrëmjes të së mërkurës, kjo banesë është shndërruar në gërmadhë. Në cilësinë e drejtorit të Institutit të Monumenteve të Kulturës, Apollon Baçe nxiton të thotë se mbrojtja e këyre monumenteve nuk është përgjegjësi e këtij instituti dhe as kompetencë e tyre, por nga ana tjetër nuk ngurron të flasë për mungesë të vlerave arkitektonike të saj, duke e thelluar edhe më tej skandalin, pasi flitet për një godinë më vlera historike të çmuara.

Thënia e parë e Z.Baçe (jo formale) ishte: “Mos e bëni më të madhe nga ç’duhet këtë çështje, nuk ka asnjë vlerë arkitektonike si godinë”.

Ndërsa formalisht, drejtori i ‘kupolës’ së Monumenteve të Kulturës tregohet i moderuar dhe thotë: “Ky monument është në administrim të Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës që varet nga Ministria e Kulturës dhe jo prej nesh. Por s’ka asnjë vlerë arkitektonike edhe pse ka atë simbolike ku është ngritur flamuri”…një deklarëtë kjo e ardhur pas ngulmit për të marrë një përgjigje se sa i rëndësishëm është ky monument për këtë institut.

Dhe rëndësia e institucioneve të shtetit shqiptar, lexohet qartë në këtë deklaratë të kreut të monumenteve.

Cilësuar si një skandal, ky i zhbërjes së banesës ku i ngrit Flamuri i Republikës së Korçës, e që prej vitit 1977 u shndërrua në Muzeun Historik të qytetit, ashpër reagon edhe Artan Lame i Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Historike dhe thotë se rasti i degradimit vit pas viti të kësaj godine, është denoncuar prej tyre.

“Bashkë me Shtëpinë e Pavarësisë në Vlorë dhe me atë të Kongresit të Lushnjes, kjo ishte godina me më shumë rëndësi historike në Shqipëri-tha Lame në reagimin e tij. Nëse sot Korça është në Shqipëri dhe jo në Greqi, kjo është eskluzivisht falë atij burri që i thonin Themistokli Germenji dhe falë aktit të ngritjes së flamurit në ballkonin e asaj shtëpie, që sapo e shkatërruam. Mbijetoi 100 vjet dhe bash në vitin e Pavarësisë e shkaterruam”-vijon Lame. Tragjedi e ka cilësuar Artan Lame atë që ndodhi në orët e vona të së mërkurës, një tragjedi e cila është përvijim i zhbërjes së simboleve kombëtare.

Kjo godinë nga e cila tanimë ka mbetur vetëm një gërmadhë, ka kryer funksionin e Selisë Qendrore të Republikes Autonome të Korçës, me ndikim të jashtëzakonshëm në zhvillimin e lëvizjes patriotike në vend. Kjo godinë e cila tani nuk është më, lidhet pandashmërisht me emrin e patriotit Themistokli Germenji dhe veprimtarinë e tij që kulmoi me aktin e shpalljes së Republikës së Korçës.

shtepia-e-germenjit-2 shtepia-e-germenjit-3 shtepia-e-germenjit-4 shtepia-e-germenjit-ne-korc

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›