E Diel, 1 Nëntor 2026

Kufiri me Greqinë, PS: Deti, Toka dhe sovraniteti nuk janë prona të Berishës

Tiranë- Opozita shqiptare ka reaguar për herë të parë pas njoftimeve për rihapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe Greqisë për përcaktimin e kufirit detar mes dy vendeve.

Në një deklaratë zyrtare, Partia Socialiste thekson se vendi, toka, deti dhe sovraniteti kombëtar nuk i përkasin qeverisë e as mund ti blejë dot me para Sali Berisha, por i popullit dhe i përket vetëm atij.

Opozita kërkon që negociatat e reja të jene në zbatim te vendimit të Gjykatës Kushtetuese, si dhe të përjashtohen nga negociatat të gjithë ata zyrtarë që morën pjesë në bisedimet për marrëveshjen e parë.

Gjithashtu i kërkohet presidentit Nishani që të ushtrojë autoritetin e tij dhe të behen publike të gjitha aktet e diskutuara deri tani, dhe nefgociatat të mos behen në errësirë dhe nën taviolinën e Berishës, por në konsultim të gjerë me shoqërinë.

Në emër të opozitës, nenkryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Sajmir Tahiri lexoi këtë deklaratë:

Pa u tharë mirë boja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pa u bërë e ditur ndonjë masë konkrete për zbërthimin dhe marrjen parasysh të këtij vendimi nga qeveria shqiptare, por mbi të gjitha pa u nxjerrë përgjegjësitë përkatëse ligjore, qoftë dhe penale, për secilin nga negociatorët e marrëveshjes së mëparshme për kufirin detar në kanalin e Korfuzit, Qeveria Shqiptare duket se po nxiton të përfundojë një marrëveshje të re me shtetin fqinj për ndarjen e detit, me të njëjtën mungesë transparence, errësirë e fshehtësi, por akoma më keq, mbi të njëjtat parime të cilat u rrëzuan unanimisht nga Gjykata Kushtetuese.

Në një kohë kur Sali Berisha, nga njëra anë dërdëllit gjithë ditën për imunitetin, dhe nga ana tjetër grabit institucionet kushtetuese dhe sistemin e drejtësisë, siç bëri me emërimin e Çefës në KLD apo me emërimin e SHIK-sit të Gazidedes, vazhdon nën errësirë të plotë, pa kurrfarë transparence, të hedhi hapat e parë drejtë një marrëveshje tjetër për kufirin detar mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Kujtojmë që Ministrin e asaj kohë, të gatshëm për të hedhur firmën në një marrëveshje që i grabiste Shqipërisë dhe shqiptarëve mijëra kilometra det, e bëri Kryetar të Bashkisë Tiranë me vjedhje votash, ndërsa negociatorëve faqezi që negociuan një marrëveshje antikombëtare, me Gervenin në krye, nuk u hyri gjemb në këmbë dhe pse askush prej tyre nuk kishte imunitet.

Në këtë 100 vjetor të pavarësisë, ne nuk do lejojmë një tjetër marrëveshje si ajo e para që u hartua në errësirën e korridoreve e nën tavolinat e qeverisë së Sali Berishës, marrëveshje që cënonte sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë. Nuk do lejojmë që pas 100 vjetësh pavarësi, Sali Berisha të ç bëjë territorin dhe sovranitetin kombëtar për interesa të politikës së tij antikombëtare.

Ndaj i kërkojmë Presidentit të Republikës të bëjë menjëherë publike Plotfuqinë me anë të së cilës ka ose do të autorizojë objektin dhe grupin negociator e të ekspertëve për marrëveshjen e përcaktimit të kufirit detar ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, duke i bërë thirrje që të përjashtojë të gjithë ata persona që u përfshinë në negocimin e marrëveshjes së parë e që u rrëzua unanimisht nga Gjykata Kushtetuese.

Marrëveshja e re nuk mund të negociohet përsëri nga Gerveni e shokë, të njëjtët që nuk patën pikën e ndërgjegjes profesionale dhe kombëtare kur hartuan qorrazi marrëveshjen e parë.

Ne kërkojmë transparencë në çdo hap të bisedimeve dhe negociatave për marrëveshjen e re. Kërkojmë zbardhjen e bisedimeve të deritanishme në rast se ka, publikimin e kërkesave të deritanishme në rast se ka, si dhe transparencë të plotë në çdo hap të diskutimit dhe negocimit, deri në finalizimin e marrëveshjes së ardhme, kurdo qoftë ajo.

Ne kërkojmë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese si dhe përfshirjen e ekspertëve të pavarur, shoqërisë civile, specialistëve të vendit e të huaj, përkrah grupit negociator të qeverisë, sepse vendi, toka, deti dhe sovraniteti kombëtar nuk i përkasin qeverisë e as mund ti blejë dot me para Sali Berisha, por i popullit dhe i përket vetëm atij.

Dhe meqë Sali Berishës ia do puna të hiqet sikur pyet shqiptarët, le ta nisë nga marrëveshja e re për kufirin detar ndërmjet Shqipërisë dhe vendit fqinj. Të bëjë transparencë të plotë për gjithçka është bërë deri tani e për gjithçka do bëhet në vijim.

Grupi Parlamentar i PS do monitorojë nga shumë afër të gjithë hapat që do të hedhë Qeveria në këtë drejtim, duke bërë të njëjtën gjë që bëmë dhe herën e parë, të jemi garant të sovranitetit kombëtar dhe interesave të qytetarëve shqiptarë.

Sali Berisha le të mbajë President Bujarin, Çefën dhe Shik-sin e Gazidedes. Në zgjedhim Shqipërinë dhe shqiptarët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›