E Diel, 1 Nëntor 2026

Organizatat kundër dhunës gjinore: Të marrë fund grabitja e femrave në rrugë

Tiranë- Rrjeti i organizatave kundër dhunës me bazë gjinore përmes një deklarate për shtyp kërkon nga organet kompetente dhe shoqëria civile të ndalet grabitja dhe dhunimi i grave në rrugë.

Ka disa vjet që ky fenomen po ndodh veçanërisht, në rrugët e kryeqytetit dhe jo vetëm nuk po reduktohet, por po kryhet gjithmonë e më tepër me mënyra të dhunshme. Para disa ditësh një nënë e bashkëshorte humbi jetën, ndërkohë që janë denoncuar raste të sulmit ndaj grave, me solucion e thikë për ti rrëmbyer zinxhirin e florinjtë të qafës.

Të gjithë e njohim faktin se mbajtja e objekteve të zbukurimit nga gratë është një traditë e vjetër. Kjo traditë mund të konsiderohet një trashëgimi kulturore që nga koha e Ilirëve. Por, me keqardhje të thellë konstatojmë se sot, këto objekte bëhen shkas për dhunë deri në rastet më ekstreme,-thuhet në deklaratë.

Sipas këtij rrjeti koha nuk pret ndaj është e nevojshme që të gjitha organet kompetente, veçanërisht ato të policisë të marrin masa të shpejta dhe efikase për të parandaluar dhe asgjësuar këtë dhunë të patolerueshme.

Edhe për organet e drejtësisë lind nevoja e rritjes së efikasitetit për goditjen e këtij krimi të dhunshëm. Gjithashtu, mendojmë se është koha që edhe njësitë e shitblerjes së objekteve me vlerë, si floriri, duhet të forcojnë masat e  tyre të kontrollit ndaj personave të cilët shesin floririn. Për këtë, është e nevojshme që me akte nënligjore të rregullohet procedura e blerjes së floririt nga këto dyqane në mënyrë që ajo të shndërrohet në një procedurë tërësisht të kontrolluar dhe transparente,-thuhet në deklaratë duke sugjeruar mënyrat sesi mund të arrihen këto objektiva.

Kjo mund të realizohet përmes rregullimeve të ndryshme, p.sh., përmes detyrimit të këtyre njësive të dokumentojnë personin që shet floririn me dokument të vlefshëm identifikimi, të dokumentojnë objektin me certifikatë, përmes fotografimit etj. Kjo masë do të ishte e rëndësishme për parandalimin e vjedhjeve të dhunshme dhe do të ndihmonte organet e rendit në zbulimin e autorëve të veprave,-thuhet më tej.

Rrjeti i këtyre organizatave kërkon ndihmën e gjithë shoqërisë, organizatave të shoqërisë civile, nxënësve e studentëve, të cilët duhet të jetë më aktive në mbështetjen e organeve kompetente. “Shoqëria ka nevojë të ngremë të gjithë opinionin shoqëror kundër rasteve të dhunës për grabitje në rrugë, ndaj nënave, motrave, vajzave, gjysheve e bashkëshorteve tona!”,-apelohet mbi fenomenin.

/IDEA/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›