E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia: Gjobë tregtarëve që ndotin ambientin

Nga Ermelinda Hoxhaj
Drejtoria e Menaxhimit të Mjedisit ka kërkuar që subjektet të respektojnë oraret e hedhjeve të mbeturinave. Në 18 rrugë të Tiranës orare fikse për hedhjen e mbeturinave, në të kundërt gjobitesh. 

TIRANE- Hedhja e mbeturinave sipas dëshirës ka sjellë një sërë problemesh në lidhje me cilësinë e pastrimit. Subjekte tregtare apo edhe qytetarët, në kontejnerët publikë hedhin mbeturina të ndryshme të cilat zënë gjithë kapacitetin e tij, por edhe mbeturina që nuk duhet të depozitohen në to. Ka plot raste të hedhjes në kazanët e mbeturinave, të mobilieve të vjetra, mbetje inerte, apo kartonë të mëdhenj. Për këtë arsye, Drejtoria e Menaxhimit të Mjedisit ka kërkuar që subjektet, por edhe vet qytetarët të respektojnë oraret e hedhjeve të mbeturinave, si dhe të mos hedhin çdo lloj objekti në kontejnerë. Ndërkohë, një tjetër problem i kësaj drejtorie është keqpërdorimi i kazanëve të rinj që po vendosen në çdo zonë të kryeqytetit, pasi qytetarët po i shpërdorojnë duke u thyer kapakët, në një kohë që ata janë bërë që kapakët të rrinë mbyllur për të mos krijuar probleme të komuniteti, si për aromat e këqija dhe shpërndarjen e plehrave në tokë. Janë plot 18 rrugë të cilat janë përcaktuar si rrugët më problematike, ku dhe është përqendruar biznesi. Ndaj për këto rrugë është vendosur që të ketë orare fikse për hedhjen e mbeturinave. Nëse këto subjekte nuk respektojnë oraret e depozitimit të mbeturinave dhe konstatohen raste të ndotjes do të merren masa, duke i gjobitur nga 5 mijë në 30 mijë lekë. Subjektet tregtare duhet të ndërgjegjësohen se jo çdo mbetje duhet depozituar në kontejnerët publikë. Kështu, kartonët e madhësive të ndryshme nuk mund të depozitohen në kontejnerë, pasi bllokojnë dhe pengojnë depozitimin e mbetjeve nga qytetarë të ndryshëm. Gjithashtu, mbetjet duhet të depozitohen në qese të zeza plastike të mbyllura mirë. Drejtoria e Menaxhimit të Mjedisit në Bashkinë e Tiranës, kërkon nga subjektet tregtare që të respektojnë oraret e depozitimit të mbeturinave sipas grafikut të mëposhtëm, pasi në të kundërt do të merren masa ndëshkuese.(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›