Reportazh, Spitalet, radhë te ORL e Kardiologjia
TIRANE- Pacientët që vërshojnë këto ditë pranë Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" për problemet të ndryshme mjekësore, hasen çdo ditë e më shumë me radhë të stërgjata njerëzish, që nisin pas derës së dhomës së mjekut e shpesh përfundojnë tek shkallët e pavijonit. Por jo vetëm kaq, qytetarët që shpesh vijnë nga rrethet, janë të detyruar të qëndrojnë me orë të tëra pas portës, duke duruar dhimbjet dhe sëmundjen si dhe lodhjen për pritjen e tejzgjatur, e në shumë raste fatkeqësisht kthehen mbrapsht në shtëpi duke mos mbaruar dot punë.
Mbipopullimi
ORL-ja është njëri nga pavijonet më të mbipopulluar të QSUT-së. Me dhjetëra njerëz qëndrojnë në pritje në sektorin e vizitave ditore, duke pritur me orë të tëra për një konsultë mjekësore. Hallexhinjtë qëndrojnë në radhë të ulur në karriget, apo stola duke parë me shpresë nga dera që hapet rrallë. Por në shumë raste kur këto të fundit janë të gjitha të zëna, atëherë zgjidhja e vetme është pritja e lodhshme në këmbë.
Pavijonet
Edhe pavijoni i Kardiologjisë vuan dyndjen e shumtë të njerëzve, duke krijuar në korridoret e tij radhë të gjata pacientësh. Duhet të presësh me orë të tëra për të arritur të kryesh qoftë dhe një EKO zemre, ose një ekzaminim të thjeshtë. Radhët e gjata nuk janë tashmë asgjë e pazakontë dhe në shumë pavijone të tjera si Urologjia, ku në pritje të hapjes së dritës jeshile për të hyrë, pacientët dhe familjarët e tyre janë të detyruar të presin me orë të tëra, edhe për të bërë shtrimin e parashikuar në pavijon.
Rrethet
Duket se më shumë se të gjithë, mbipopullimin e përditshëm dhe radhët e panumërta të krijuara në pavijonet e Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza", e vuajnë pacientët që vijnë nga rrethet e ndryshme të Shqipërisë. Këta të fundit, edhe pse paraqiten për vizita që në orët e para të mëngjesit, në disa raste nuk arrijnë të mbarojnë punë. Gjithashtu, mund të ndodhë që shtrimet ose operacionet e parashikuara mund të shtyhen si pasojë e mungesës së medikamenteve, gjë që shpesh i detyron ata dhe të afërmit e tyre të ngrysin ditën nëpër dyer e spitaleve, e më pas të përfundojnë të flenë nëpër lulishtet që ndodhen rreth pavijoneve.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)