E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvend, PS-LSI të gatshëm të largojnë Topallin

Nga Gilmana Bushati
Opozita kritikon mënyrën e drejtimit të Kuvendit nga Kryetarja e Parlamentit. PS-ja dhe LSI-ja janë të gatshme të mbështesin një nismë për largimin e Jozefina Topallit. 

TIRANE-  E ndërsa kryetari i LSI-së, Ilir Meta thotë se deputetët e kësaj partie presin prej muajsh riaktivizimin e kërkesës së socialistëve për një mocion shkarkimi ndaj Topallit, nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe shprehet “dyshues” për votat e deputetëve të opozitës kundër Topallit. Sipas Braçes, situata në të cilën Topalli e ka çuar Parlamentin është shqetësuese, por është vënë re se deputetë të opozitës e kanë mbështetur atë. “Për fat të keq, Topalli ka gjetur mbështetje ilegale nga shumë grupe parlamentare, mes të cilëve edhe deputetë të opozitës”, - deklaroi dje Braçe, për median. Ai tha se “u diskutua një prej iniciativave tona kushtetuese në raport me zonjën Topalli, që t’i faleshin për herë të fundit zonjës Topalli fajet, mënyra e drejtimit të Parlamentit dhe degjenerimi i Parlamentit, siç ka ndodhur”. Ai thotë se ka dëgjuar nën tavolinë se “vota të opozitës kanë rrjedhur për zonjën Topalli. Mund t’i gjeni fare mirë, t’i shikoni se kush dhe cili fërkohet, përkëdhelet apo bën qejf me zonjën Topalli”, - u shpreh nënkryetari i grupit parlamentar socialist. Braçe kërkoi seriozitet ndaj këtyre kërkesave, të cilat nuk duhet të mbeten më thjesht deklarata.
Nga ana e tij, kreu i LSI-së, Ilir Meta, sqaroi për gazetarët se “LSI-ja nuk është kaq e vonuar për këto iniciativa, por përkundrazi ne prej disa muajsh jemi shprehur të gatshëm se në rast se grupi i PS-së do të riaktivizonte mocionin ndaj znj.Topalli, sikurse u bë e ditur muaj më parë, ne do e mbështesnim”. “Kjo gjë, - tha ai, - nuk ka ndodhur, por ne në çdo moment kur mund të ndodhë ne shprehemi të gatshëm që do e mbështesim, sepse mendojmë se ka mjaft probleme serioze në funksionimin e parlamentit, dhe që kanë të bëjnë me shkeljen e parlamentarizmit dhe gjithë procedurave demokratike”. “Disa herë Kryeministri Berisha ka dhunuar Parlamentin si institucion dhe Kryetarja, jo vetëm që nuk ka mbajtur qëndrim ndaj tij, por e ka favorizuar këtë sjellje arrogante dhe përçmuese të tij ndaj parlamentit”, - u shpreh kreu i LSI-së. Meta e lidhi këtë edhe me kërkesën për dorëheqje të Berishës. “Jemi të bindur që z.Berisha, jo vetëm duhet të largohet tani, por duhet të ishte larguar me kohë, ndaj ne kemi qenë dhe jemi të hapur për çdo iniciativë që synon largimin e tij, por kuptohet, që pas 21 prillit kjo është shumë e vështirë. Këtu qëndron edhe arsyeja, përse Berisha i lutet opozitës për të bërë mocion mosbesimi, sepse pas këtyre ndryshimeve kushtetuese nuk duhen 71 vota, por duhen 142”, - sqaroi Meta.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›