KLD nis sot procedimin disiplinor për 12 gjyqtarë
TIRANE- Këshilli i Lartë i Drejtësisë nis sot shqyrtimin e dosjeve të 12 gjyqtarëve, për procedim disiplinor, pasi i janë gjetur shkelje në cështjet që kanë gjykuar. KLD do të diskutojë sot shkarkimin e gjykatëses së Gjykatës së Shkallës së Parë,Vlorë, Mirela Mishgjoni, si dhe një masë më të ulët disiplinore ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Shkallës së Parë në Mat, Murat Lleshi.
Nga kontrolli i inspektoratit të lartë të KLD-së janë gjetur shkelje në dosjet që këto gjyqtarë kanë gjykuar.
Gjyqtarët e tjerë të cilët do merren në shqyrtim janë të Gjykatave të Rretheve Gjyqësore, Sarandë, Elbasan si dhe të të Gjykatave të Apelit: Tiranë,Vlorë si dhe të Apelit Ushtarak.
Mes gjyqtarëve që do të procedohen nga KLD janë dhe tre gjyqtarët e Apelit Ushtarak, të cilët në 2005 liruan nga akuzat Mihal Delijorgjin, biznesmenin e arrestuar si një nga përgjegjësit kryesorë për tragjedinë e Gërdecit. Gjyqtarët Shaqir Gradica, Ylli Minka, e Naim Pejo do të procedohen për vendimin e datës 17 dhjetor 2007, ku administratori i shoqërisë “Përparimi sh.a”, i shpëtoi akuzës së kontrabandës me mallra të tjerë. Treshja gjykuese vendosi për rrëzimin e padisë civile të doganës së Durrësit që kërkonte nga administratori i kësaj shoqërie shumën prej 1.2 milionë dollarësh që pretendohej se ishte shkaktuar dëm nga kontrabanda e hekurit. Gjykata e Shkallës së Parë e Durrësit e shpalli fajtor delijorgjin dhe e dënoi me 1. 2 milionë dollarë gjobë, për deklarimin e rremë të hekurit të importuar me qëllim që t’u shmangej detyrimeve doganore.
Përfaqësues të qeverisë dhe të sistemit gjyqësor janë përfshirë prej disa ditësh në replika lidhur me ndërhyrjet në pavarësinë e drejtësisë. Kryeministri Sali Berisha ka vecuar në fjalimet e tij të fundit se është e pashpjegueshme që gjatë gjithë viteve të tranzicionit asnjë gjyqtar nuk është vënë përpara drejtësisë për korrupsion apo abuzime të tjera me detyrën.
Ndërkohë, janë duke u përgatitur projekt-ligje dhe regullore nga Ministria e Drejtësisë, të cilat po kundërshtohen nga shoqatat e gjyqtarëve si shkelje të pavarësisë së sistemit gjyqësor. Kërkesat e shpeshta për kontrolle dhe presionet verbale mbizotërojnë aktualisht marrëdhëniet midis qeverisë dhe gjykatave e prokurorisë.
(s.g/BalkanWeb)