Bashkia Korçë, aktiviteti nxit zhvillimin e turizmit
“Ditët korçare në Tiranë” do të vijojë gjatë verës në të tjera qytete, pasi stafi rinor që punon në bashki me shumë dashuri për qytetin po ia del të ringrejë shumë aktivitete tradicionale në qytet. Arjan Bejko, nëndrejtor në Bashkinë e Korçës, tregon se në 6 qershor në Korçë zbresin festimet për “Karnavalet e Korçës, 2009”, festë e ripërtëritur prej ‘94-ës, ku grupe nga vendi dhe bota do të mbulojnë zhurmshëm rrugët dhe rrugicat e qytetit në një manifestim shumëngjyrësh karnavalesh. Përveç karnavaleve, Bashkia e Korçës ka planifikuar edhe zhvillimin e një sërë aktivitetesh të tjera gjatë muajve të verës. Çelja e tyre ka nisur me aktivitetin e zhvilluar gjatë këtyre dy ditëve në Tiranë. “Për herë të parë ne kemi zhvilluar një aktivitet të tillë, menduam që ta organizojmë në kryeqytet, me qëllim që të nxisim sa më shumë dëshirën e qytetarëve për të vizituar qytetin e Korçës. Bashkia ka planifikuar organizimin e një sërë aktivitetesh, me qëllim që të zhvillojmë turizmin në këtë qytet”, shprehet ai. Lidhur me aktivitetin e djeshëm, Bejko shprehet se “ka ecur shumë mirë, aq sa qytetarët kanë vijuar të qëndrojnë deri në orët e vona të mbrëmjes. Në këtë aktivitet kemi ofruar ato që quhen si suvenire të Korçës si “Birra Korça’, kërnackat dhe serenatat korçare”.