Rama: Pas 28 qershorit qeveria do jetë e qytetarëve
Aristir Lumezi
Turi i kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama ka vazhduar në komunën e Sheqerasit të qarkut Korçë. Rama së bashku me kandidatët për deputetë të qarkut Korçë, Blushi, Dalipi, Majko, Kodheli e Ahmetaj janë ndalur në takime spontane duke bashkëbiseduar me banorët për programin e ri të Partisë Socialiste, i cili ka zgjidhje dhe ide të reja për ndryshimin thelbësor të jetës dhe punës në fshat. “Ne besojmë se nuk është e pamundur që ne të ulim koston e prodhimit në fshat, që ne t’jua japim naftën pa akcizë, që ne t’ju mbështesim për farërat, për plehrat, për pesticidet. Që ne t’ju qëndrojmë pranë dhe t’ju garantojmë rrugët e nxjerrjes së prodhimit në treg. Që ne t’ju mbrojmë nga konkurrenca e pandershme dhe e padrejtë dhe që ne t’ju japim krahët që ju kanë munguar deri më sot për të vrapuar drejt një të ardhme që me patjetër do të jetë e ndryshme nga kjo e sotmja”,- u shpreh kryesocialisti Rama. Në takimin masiv të zhvilluar në Sheqeras mes një entuziazmi dhe optimizmi me banorët të kësaj komune, Rama u tha atyre se ai së bashku me ekipin e tij nuk janë në këtë garë elektorale për të ndryshuar një kabinet qeverisës me një tjetër, por për të ndryshuar cilësinë e jetës së shqiptarëve pavarësisht largësive gjeografike me kryeqytetin. “Votojeni Partinë Socialiste që nesër të keni një qeveri që të jetë e juaja. Votojeni Partinë Socialiste që nesër të mos e keni qeverinë në kutinë e televizorit, por këtu pranë jush, aty në fushë ku hidhet fara e prodhimet tuaja, aty në rrugë ku duhet të vijë për të gjithë uji i pijshëm në shtëpitë tuaja, aty pra tek shkolla ku duhet të mësojnë fëmijët tuaj. Votojeni Partinë Socialiste në mënyrë që nesër të na keni përsëri këtu, siç na keni sot, që të diskutojmë dhe vendosim së bashku dhe të hedhim së bashku çdo hap për të rritur mirëqenien dhe cilësinë e jetës në fshatin tuaj, për të rritur dinjitetin dhe respektin për vendin tonë të përbashkët, për Shqipërinë e shekullit të ri”, tha Rama. Kreu socialist përsëriti edhe njëherë se PS do të qeverisë ndryshe nga deri tani. “Ne do të punojmë dhe do të qeverisim ndryshe, është shprehur Rama në këtë komunë, duke iu premtuar këtyre banorëve se qeverisja e nesërme e PS do të jetë gjatë gjithë mandatit të saj ashtu, si në opozitë, aty ku janë njerëzit, për të marrë vendime në konsultim me ta”, tha Rama.
Rama në Bulqizë për spotin elektoral
Kreu i Partisë Socialiste, ka kryer një vizitë të shkurtër në minierën e Bulqizës, ku këtë radhë ndryshe nga herët e tjera, nuk ka takuar njeri. Qëllimi i kësaj vizite, mësohet të ketë qenë një spot elektoral që ai ka bërë në këtë minierë. Për këtë ai ka hyrë në nivelin e pestë të pusit nr.2, nën shoqërinë e kamerave televizive dhe shoferit të tij, thonë burime nga miniera. Ndërkohë, merret vesh gjithashtu se Rama gjatë realizimit të spotit të tij televiziv në brendësi të galerive të minierës, ka premtuar edhe një herë dhënien e statusit për minatorët pas fitores së të majtës në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.