PPE: Nuk ka vend për improvizime të PS-së
Partitë Popullore Evropiane e vlerësojnë si eksperiment alternativën e opozitës së majtë në Shqipëri. Sekretari për marrëdhëniet me jashtë në PPE, Kostas Sasmatzoglou, duke përshëndetur dje kuvendin elektoral të PD-së tha se “Shqipëria ka nevojë të vazhdojë rrugën e zhvillimit dhe ka nevojë për një dorë të qëndrueshme si ajo e Sali Berishës, nuk ka vend për improvizime dhe eksperimentime të opozitës. Në mënyrë që Shqipëria të vazhdojë të ecë përpara ka nevojë për një lidership dhe vizionin e një njeriu si Sali Berisha”. Sipas tij: “Sali Berisha ka një listë shumë të gjatë me arritje. Ai arriti të ulë taksat e biznesit dhe të dyfishojë pagat dhe pensionet. Ai ka filluar një numër të jashtëzakonshëm projektesh infrastrukturore dhe një sërë fushash të tjera jetike të vendit tuaj. Ai ka eliminuar krimin e organizuar dhe në këtë mënyrë njerëzit mund të ndjehen më të lirë në qytete dhe në fshatrat e tyre. Sali Berisha e ka vendosur Shqipërinë në rrugën e zhvillimit evropian”.