“Politika duhet të jetë arti i të shërbyerit”
“Ne tek G99 besojmë se politika nuk është arti i të sunduarit, por i të shërbyerit”- theksoi kreu i G99, gjatë një dite të kaluar në njësinë numër 7 në Tiranë, në kuadër të aktiviteteve të G99 në shërbim të komunitetit. Veliaj së bashku me kandidatët e Tiranës Arbjan Mazniku dhe Juliana Hoxha të shoqëruar nga shumë vullnetarë të G99 bënë disa riparime në këndet e lojërave në lagjet e zonës së 21 dhjetorit dhe lyen dy prej mureve të dëmtuar në ambientet publike. Aktivistët e G99 patën mundësi të bisedonin me shumë prej banorëve në oborret dhe dyqanet e tyre për problemet që shqetësojnë këtë komunitet dhe idetë e tyre për t’i përmirësuar. Veliaj trokiti në shumë dyer të lagjes për t’i ftuar personalisht qytetarët në Konventën e Kurajos, evenimentin e nesërm, që do të nisë zyrtarisht fushatën me prezantimin e listës së kandidatëve për zgjedhjet e 28 qershorit.