Berisha shpall programin për mandatin e dytë: Në 2013 anëtarësim në BE, 160 mijë vende të reja pune
Adi Shkembi
Kryeministri Sali Berisha prezanton katër ditë para hapjes zyrtare të fushatës, programin qeverisës për 4 vitet e ardhshme.Në 80 minuta kreu i qeverisë renditi arritjet kryesore të katër viteve të mandatit të parë dhe para delegatëve të Kuvendit elektoral shpalli pikat kryesore të programit të ri. Në mandatin e ri kreu i qeverisë premtoi dyfishimin e vendeve të punës, rritjen e pensioneve dhe rrogave, rritjen e investimeve në arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë. Në të njëjtën kohë, Berisha i bëri thirrje ish të përndjekurve dhe ish-pronarëve që të mos humbasin durimin, por të besojnë sërish te PD-ja, pasi sipas tij, kjo forcë është partia që mbron interesat e tyre. Në fjalën e tij Berisha premtoi heqjen e vizave brenda një viti dhe në fund të mandatit, vendi sipas tij do të presë përgjigjen e BE-së për anëtarësim me të drejta të plota. “Ndaj dhe ky do të jetë zotimi i këtij kuvendi, e para, lëvizja juaj e lirë, brenda vitit të parë të mandatit të dytë do të lëvizni të lirë në mbarë Evropën. E dyta, Shqipëria, në vitin 2013 e gatshme për verdiktin final të 27 vendet e Bashkimit Evropian”, u shpreh Berisha. Në të njëjtën kohë ai premtoi shkurtim të ministrive si dhe rishikim të dietave për të gjithë zyrtarët e lartë. Gjithashtu, sipas kreut të ekzekutivit do të hiqet TVSH për librin. “Do të vazhdojmë më tej me revolucionin fiskal, do të heqim TVSH për librin, do të ndërmarrin reformën e thellë të pensioneve dhe sigurimeve shëndetësore”, u shpreh Berisha. Duke u ndalur pikërisht në reformën e pensioneve, kreu i qeverisë premtoi barazimin e pensioneve minimale në fshat dhe qytet. “Unë dua t’u garantoj qytetarëve shqiptarë se brenda vitit 2010, nuk do të ketë qytetar në këtë vend me ndihmë ekonomike, që të jetojë poshtë 2 dollarësh në ditë”, u shpreh më tej Kryeministri Berisha. Sipas tij, rritja e investimeve do të ndikojë në hapjen e vendeve të reja të punës dhe brenda vitit 2013 në vend do të hapen 160 mijë vende pune. Në të njëjtën kohë kreu i demokratëve premtoi rritjen e investimeve në infrastrukturë, ku tha se çdo komunë e largët do të lidhet me aksin kombëtar më të afërt për jo më shumë se 15 minuta. “Shqipëria është një vend plot me ujëra, ne u premtojmë shqiptarëve se në vitin 2013, si të gjithë qytetarët e BE, do të kenë ujë 24 orë në shtëpitë e tyre kudo që të ndodhen”, tha më tej Berisha. Por ndryshe nga herët e tjera kreu i qeverisë nuk pranoi të flasë për liderin e opozitës, Edi Rama, megjithëse siç e tha edhe vetë kishte parashikuar diçka në fjalimin e tij. “Pak më parë dikush këtu përmendi emrin e kryetarit të opozitës. Isha përgatitur t’i thosha disa fjala, por vendosa që në respekt të traditës më të lartë shqiptare të mos i them asnjë fjalë sepse koka e falur s’pritet më, u dorëzove, ia mbathe nuk flas më për ty. Tani për kokën e falur që nuk pritet nuk flitet do flas për veten time”, u shpreh Berisha. Në fund të fjalimit të tij, kreu i qeverisë iu rikthye edhe njëherë të kaluarës së tij nga koha kur punonte si mjek dhe përfshirjen në lëvizjen e studentëve deri te rrëzimi nga pushteti në vitin 1997 nga rebelimi komunist siç e quajti dhe më pas me rikthimin në pushtet në vitin 2005. “Mos mendoni ju se tërhiqet Sali Berisha jo dhe jo, Sali Berisha nuk do mposhtet asnjëherë, se asgjë nuk do të mposhtë të drejtën tuaj për të qenë pjesë e Evropës”, përfundoi fjalën kreu i ekzekutivit.
Programi i PD
Heqje të vizave brenda qershorit 2010 Shqipëria, në 2013 e gatshme për verdiktin final të 27 vendeve të BE-së Qeveri më e vogël dhe rishikim i dietave të zyrtarëve Revolucion fiskal, heqje e TVSH për librin Brenda 2010 asnjë qytetar s’do ketë nën 2$ në ditë Brenda 4 viteve 160 mijë vende pune Do ndërtohen akset Tiranë-Tepelenë, Qafë Plloç-Tiranë, Bulqizë- Tiranë Çdo komunë e largët do lidhet me aksin kryesor për 15 minuta Brenda 2013 24 orë ujë Do të 6 fishohet granti për fermerët Në katër vjet pensionet minimale do të jenë të barabartë në të gjithë vendin
Topalli, Bode, Olldashi e Basha flasin në Kuvend
Pjesë e skenografisë së hartuar nën kujdesin e një grupi përfaqësuesish të Partive Popullore Evropiane ishte edhe prezantimi i stafit të ngushtë me të cilin Kryeministri Berisha do të punojë katër vitet e ardhshme. Në nisje të Kuvendit, katër ministra të kabinetit qeveritar, Majlinda Bregu, Genc Ruli, Bujar Nishani dhe Fatos Beja iu drejtuan delegatëve me një video ku bënin një bilanc të punës së tyre katërvjeçare. Ndërkohë, për të mbajtur fjalim në sallën e Pallatit të Kongreseve ishin Topalli, Bode, Basha e Olldashi. Olldashi duke u ndalur te investimet e në infrastrukturën rrugore, theksoi se qeveria ndërtoi një infrastrukturë moderne. Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Ridvan Bode, njëkohësisht edhe ministër i Financave, gjatë fjalës përshëndetëse mbajtur në Kongresin Elektoral të PD-së tha dje se “ne jemi përsëri më të shumtë dhe nisim udhën drejt fitores së lavdishme të Partisë Demokratike”. Ndërsa nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, në hapje të punimeve të Kuvendit elektoral të PD-së, tha se “në mandatin e ardhshëm demokratët do të vazhdojnë ndryshimin e vendit”. Ministri Basha kujtoi se ishin reformat e suksesshme të qeverisjes së djathtë, që bënë të mundur arritjet e mëdha, që Shqipëria ka pësuar përgjatë këtyre 4 viteve.