E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pushtimi dhe tjetërsimi i PS-së

Agron TUFA 

Partia Socialiste hyn në zgjedhjet elektorale të vitit 2009 me identitet të shfytyruar politik, me modelin e pushtetit të pakufishëm dhe absolut të kryetarit Rama dhe e shpëlarë nga kujtesa ideologjike. Ndoshta për Edi Ramën nuk është dhe aq e rëndësishme fitorja e zgjedhjeve, se sa përqendrimi vertikal i një pushteti të pakufishëm, që modelon në shkallë totale vasalizimin e partisë dhe sidomos shfytyrimin e saj, duke e ndryshuar atë në formë e në përbërje, mjaft të likuidojë çdo kujtim dhe gjurmë të ish-kryetarit të saj, Fatos Nano.  Katër vitet e opozitës së Ramës u përqendruan në akuzat e precedentëve aksidentalë dhe gabimeve të qeverisë Berisha për të ashtuquajturin korrupsion të autostradës Durrës-Kukës, për ngjarjen tragjike të Gërdecit dhe për trumbetimin e gjoja korrupsionit të familjes kryeministrore në lidhje me shitjen e disa pronave biznesmenit boshnjak Damir Fazlliç. Është e habitshme se, me gjithë kontrollin dhe influencën e socialistëve mbi kryeprokuroren Ina Rama, si dhe kohën e bollshme në dispozicion të organeve të gjykatave dhe prokurorisë për hetimin e këtyre çështjeve, në përfundim të tyre, tashmë në prag të zgjedhjeve, të gjitha këto akuza mbetën të pavërtetuara, të gjitha vetëm fjalë, fjalë, fjalë... Investimi propagandistik i oponencës socialiste të Ramës në disa raste ra në sytë e shqiptarëve për keq, sidomos sulmet e vazhdueshme dhe parashikimet ndjellazeza për gjoja pamundësinë e realizimit të rrugës që na lidh me Kosovën, episodi xheloz i vizitës së Xhorxh Bushit apo demonstrimi i hapur i pakënaqësisë, duke profetizuar se qeverisë së Berishës “nuk do t’ia japin ftesën për në NATO”. Maksimumi i aleancës së spektrit të socialistëve të Ramës, është shtojca populiste e G-99, një partie-puçërr, servile, me të rinj thellësisht të patalentuar, e cila përmbush funksionin e një rripi transmisioni për partinë e Ramës dhe që të qet, kësodore, mallin e BRPSH-së së Enver Hoxhës. Shkurt, mbetje e precipitateve të subkulturave e pluhurnajës së harruar të revolucioneve në një version të rënë nga vakti.
Po për Edi Ramën detyrë kryesore është përforcimi i kultit të tij, pa oponencë të fortë brenda partisë, kult individual që konsiston në përqendrimin e një pushteti të pakufishëm nëpërmjet rekrutimit, ndereve dhe rrjedhimisht, vasalizimit të emrave ekzistues e të rinj. Për këtë na flet vetë shmangia dhe lënia jashtë listave të deputetëve e shumë prej liderëve historikë të së majtës, sikundërse është ish-kryeministri Fatos Nano. Tendenca e Ramës është që t’i shkojë deri në fund pastrimit të “tokës së minuar”, kundërshtarëve që në fakt e kanë sjellë në politikë, duke ruajtur të paprekur të dy pushtetet – të kryebashkiakut dhe kryesocialistit, pa hequr dorë as nga njëri, as nga tjetri, madje me pretendimin për t’u bërë kryeministër në rast fitoreje në zgjedhje. Ish-lideri historik i socialistëve ia ka qëlluar saktë kur u shpreh se Rama u ka fshirë memorien socialistëve. Në fakt, synimi i Ramës rreh të krijojë një situatë ambigue: bashkë me spastrimin e partisë nga oponentët, të cilët do ta rrezikonin fatalisht duke e demaskuar për korrupsion dhe klientelizëm, ai synon të ndërkallë brenda Partisë Socialiste një raport të thellë tëhuajësimi me inoplanetianë dhe UFO – figura përgjithësisht të reja, më shumë me ëndrra të uritura për karrierë, se sa me bindje, ndjeshmëri e filozofi të së majtës socialiste. Prejardhja dhe formimi i këtyre të rinjve, sipas llogarive të Ramës, do të përbëjë një situatë të shumëfishtë: ata do të “shkripëzojnë” dhe shpëlajnë ngjyrën e kuqe të PS-së, duke e çideologjizuar formalisht, në mënyrë që, herëdokur, kur të paraqitet rasti, të krijojë premisën e kundërvënies ndaj figurave historike të PS-së, duke shfrytëzuar kësodore alergjinë ndaj prejardhjes dhe trashëgimisë komuniste të tyre. Kjo do t’i jepte dorë Ramës të pretendonte se ai po e “reformon” partinë, duke e furnizuar me “gjak të ri”, shumë larg trashëgimisë së PPSH-së. Shënjestra është graduar me një mjeshtëri e zgjuarsi spekuluese, vetëm e vetëm për të krijuar efektin, dukjen dhe kurthin psikomental të imazhit. Thelbi i vërtetë i këtij skenari është likuidimi i paceremonishëm i rivalëve të vjetër, i “banorëve të shtëpisë”, shtëpi në të cilën Rama ka hyrë si i ftuar dhe tashmë e ka pushtuar krejtësisht. Listat e deputetëve të PS-së na e japin mprehtësisht këtë përshtypje dhe përfaqësimi i socialistëve në parlamentin e ardhshëm i hap rrugë spastrimit të partisë nga falanga besnike e Nanos. Rasti më i mirë për zvetënimin, degradimin dhe shfytyrimin e Partisë Socialiste, ashtu siç ishte ajo në momentin kur e la Fatos Nano, iu paraqit Edi Ramës me ndërrimin e modelit zgjedhor për vitin 2009 dhe respektimit të detyruar të barazisë gjinore në prurjet e parlamentit të ri, çka krijon premisën e futjes në lista të një numri të ri femrash, pa asnjë lidhje e kontribut të mëparshëm në PS, madje larg bindjeve dhe identiteteve të majta. Ky ishte një rast i shumëpritur që Rama të vriste me një gur jo dy zogj, por gjithë zogjtë e botës. Dhe praktikisht veproi me përpikmëri sipas sindromës së kriminelit, që për të zhdukur gjurmët e krimit, zhduk dëshmitarët, çka e pamë me listat tashmë të shpallura të kandidatëve për deputetë. Ky është rezultati i mbramë final sipas llogarive të Edi Ramës. Nëse ai del sipas parashikimeve të tij, praktikisht në Partinë Socialiste është vendosur pushteti vertikal sipas hierarkisë vasalizuese, me një kryetar të fuqishëm që shpërndan dhe përcakton shanset për karrierë dhe sukses politik, kryetar që është edhe kryetar bashkie me një pushtet të fuqishëm ekonomik e korruptues – dy atribute që e bëjnë atë një sundimtar absolut në kampin socialist me pushtet të pakufizuar.
Përrenjtë ligjërimorë që kemi dëgjuar nga kryetari socialist, herë nga qendra, herë nga periferitë e Shqipërisë në turne anekënd Jugut dhe Veriut, vetë sloganet dhe devizat e tij, që politikisht e ideologjikisht bartin një paradoks e nonsens të thellë – të tipit – “Përtej së djathtës dhe së majtës”, janë shprehja që e tradhton në mënyrën më diskrete kalkulimin e Edi Ramës për të denatyruar e tjetërsuar definitivisht thelbin historik të materies së popullit socialist. Këto parulla asnjëherë nuk e kanë patur forcën bindëse për boshtin e vlerave simbolike me të cilat mbahet gjallë e majta, dhe për më tepër, kjo propagandë populiste nuk është ngritur asnjëherë në lartësinë e argumentit bindës - të konkurrencës me alternativa platformash. Sepse në bazë të këtyre programeve të hartuara nga potencialet gjoja krijuese e intelektuale të PS-së, përanash retorikës së dendur dhe zhurmërimës kakofonike nëpër studio televizive, ne nuk arritëm të dëgjojmë as edhe njëherë, së paku 5 fjalë të qarta, pesë objektiva të realizueshëm dhe 5 figura që vërtet të na bindin me potencialin e ri intelektual, që do të drejtojnë këtë vend... në rast fitoreje. Ndërsa tash për tash, Partia Socialiste mbetet peng vetëm i Edi Ramës dhe do të mbetet për sa kohë ai do të mbajë të pushtuara të dyja kështjellat e saj: Bashkinë dhe Partinë. Rënia e njërës presupozon rënien automatikisht edhe të tjetrës. Dhe kjo varet me ndërhyrjen apo sulmin nga jashtë, pasi rënien e rrezikshme me “tradhti” nga brenda, duket se Rama e ka zgjidhur, sidomos me shfrytëzimin e modelit të këtyre zgjedhjeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›