Bashkia: Ponen e kemi dërguar për ndjekje penale
18/12/2009 Toka tek “Tajvani”
Zëdhënësja Bashkisë së Tiranës Johana Bushi ka reaguar dje në lidhje me deklaratat e zëvendësministrit të Brendshëm Ferdinand Pone. Sipas saj, zëvendësministri i Brendshëm është akuzuar nga ky institucion në gjykatën e Tiranës për shpifje ndaj institucionit të Bashkisë në lidhje me tokën tek “Tajvani”. “Sot për të disatën herë shtetasi Ferdinand Njazi Pone, në cilësinë e zëdhënësit të politikës së përbaltjes, doli dhe përsëriti shpifjet dhe akuzat false ndaj Bashkisë së Tiranës dhe kryetarit të saj lidhur me tokën e kompleksit ‘Tajvani’. Bashkia e Tiranës, si përherë, politikës së përbaltjes do t’i vendosë përballë të vërtetën dhe ligjin. Në respekt të opinionit publik, i bëjmë me dije shtetasit Ferdinand Njazi Pone se në prokurorinë e rrethit gjyqësor të Tiranës është regjistruar kallëzimi penal me nr. 1875/e, paraqitur nga Bashkia e Tiranës kundrejt tij për veprën penale ‘shpifje e qëllimshme për shkak të detyrës’”, - tha Bushi. Ajo gjithashtu deklaroi se ndaj Pones është bërë padi civile për dëmshpërblimin e imazhit të cenuar të Bashkisë së Tiranës, duke kërkuar prej tij mbjelljen e 1250 pemëve të llojit bli. “Shtetasi Ferdinand Pone të shkojë e të faktojë pranë organeve të drejtësisë shpifjet dhe akuzat e lëshuara papërgjegjshmërisht, duke uzurpuar ekranet e qytetarëve kundër Bashkisë së Tiranës dhe kryetarit të saj. Bashkia e Tiranës nuk do të çojë dëm asnjë sekondë nga puna e saj. Bashkia e Tiranës nuk do të përçojë përmes ekraneve përgjigje boshe për shpifje e trillime të ulëta”, - përfundoi Bushi.