Përplasen mjetet, tre të vdekur në Librazhd
18/12/2009 Policia: Lagështira dhe humbja e kontrollit të mjetit shkak për aksidentin
ELBASAN- Tre të vdekur u regjistruan dje nga aksidenti fatal si pasojë e përplasjes së një autoveture me një mjet të tonazhit të rëndë në Elbasan. Një mjet tip Fiat veturë me targa EL9740 A, është përplasur me mjetin kamion me targa Shkupi ST460TI. Makina është shtypur dhe për tre personat e ndodhur në të nuk ka pasur asnjë mundësi shpëtimi. Viktimat e këtij aksidenti të rënda janë drejtuesi i mjetit Ismail Zyna 42 vjeç me banim në Cërrik, Fatmir Buzo 40 vjeç dhe Fatmir Hasa 45 vjeç. Ka qenë e vështirë nxjerrja e trupave për shkak të dëmtimit të madh të makinës. Mësohet se mjeti është marrë përpara nga mauna e drejtuar nga shtetasi Tomi Jancofski, shtetas maqedonas që punonte si drejtues linje transporti.
Nxjerrja e trupave
Për tre personat që ndodheshin në brendësi vdekja ka qenë e menjëhershme. Në vendin e ngjarjes ka mbërritur një mjet zjarrfikës, autoambulanca dhe shumë agjentë policie. Skena ka qenë e llahtarshme duke u shndërruar në një arenë të përgjakur. Policia është munduar të mbajë larg kësaj skene mjetet që kalonin, por efekti ka qenë i madh. Tre personat ishin duke u kthyer nga Librazhdi për në Elbasan. Ata banonin në Cërrik. Ende nuk dihet se ku kishin qenë dhe nëse kishin përdorur alkool. Viktimat kanë lënë jetimë fëmijët e tyre duke humbur jetën në aksidentin më të rëndë të regjistruar në territorin e Elbasanit.
Shkaku
Specialistë të aksidenteve kanë rrethuar vendin dhe kanë bërë edhe proceduarat për të përcaktuar shkaqet e aksidentit. Aktualisht mendohet një rrëshqitje e mjetit të vogël nga lagështira dhe përfundimin para rrotave të maunes, e cila nuk ka pasur asnjë mundësi frenimi. Gjithsesi specialistët nuk nxitohen të dalin në përfundime. Aktualisht është shoqëruar në polici drejtuesi maqedonas. Ai ka dhënë versionin e tij të ngjarjes duke deklaruar se mjeti i ka dalë përpara pa pritur. Aktualisht nuk ka një dëshmi tjetër. Pritet që përfundimet shkencore të ekspertëve të zbardhin edhe shkakun që solli aksidentin fatal. Aksi nacional Peqin-Elbasan-Qafëthanë konsiderohet më problematiku për sa u përket aksidenteve. Tre viktimat e ditës së djeshme shënojnë emrin në listën e zezë të aksidenteve në këtë rrugë. Ky aksident konsiderohet më i rëndi i muajit dhjetor, por edhe i gjithë vitit në rrethin e Elbasanit. Drejtori i Policisë së Elbasanit pak ditë më parë kërkoi marrjen e masave nga institucionet që përgjigjen për rrugët për të parandaluar aksidentet, të cilat konsiderohen problematike dhe në shtim. Saimir Muçaj kërkoi vendosjen e tabelave sinjalizuese duke deklaruar se do të shtojë shërbimet në aksin nacional. Aksidenti fatal u regjistrua vetëm një ditë para analizës 11 mujore që pritet të sjellë në Elbasan vetë ministrin e Brendshëm Lulëzim Basha.