Shqipëria përfituese e grantit për infrastrukturë dhe energjetikë
18/12/2009 BE fond 188 milionë euro për Ballkanin Perëndimor
Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor do të përfitojë më shumë se 188 milionë euro investime, kryesisht për përmirësimin e infrastrukturës, nga Bashkimi Evropian. Vetëm para pak ditësh në Bruksel është krijuar fondi për investime në Ballkanin Perëndimor. Financues i këtij fondi është Komisioni Europian, Banka Europiane e Investimeve, Banka për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës. Fondi parashikon krijimin e një mekanizmi të përbashkët të një granti apo edhe një koordinim të përbashkët të huave për të financuar zbatimin e projekteve prioritare në vendet e Ballkanit Perëndimor. Vendet përfituese janë Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia. Në bazë të strategjisë së hartuar fillimisht, përpjekjet do të përqendrohen në infrastrukturë si dhe në mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Kriteri kryesor për të përfituar nga ky grant është ajo e propozimit të projekteve që janë në ndërtim e sipër. Pra, vetëm ato projekte të cilat kanë nisur do të bëjnë të mundur tërheqjen fondeve të nevojshme. Kjo masë merret për të kontribuar në rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor, por dhe në kontekstin e financimit të procesit të integrimit që kanë ndërmarrë këto vende. Për më tepër, projektet do të zgjidhen sipas koherencës së tyre rëndësinë që kanë ato në nevojat e vendit si dhe në bazë të përparësive të përcaktuara nga BE-ja. Në takimin e parë të fondit (WBIF) ishte vendosur që të jepeshin 26 milionë euro në grante si fillim për të financuar projektet e asistencës teknike në sektorë të ndryshëm dhe në disa vende. Komisioneri për Zgjerimin Olli Rehn në prezantimin e këtij projekti u shpreh: “Në këtë periudhë të turbullt procesi i zgjerimit është një spirancë stabiliteti për vendet e Ballkanit Perëndimor. Bashkimi Evropian me politikën e tij synon të lehtësojë efektin e krizës ekonomike në këto vende dhe ky fond është një demonstrim i prekshëm i përpjekjeve të BE-së për të mbështetur integrimin e këtyre vendeve drejt Evropës.” Në këtë kontekst, zëvendëspresident i Bankës Evropiane për Investime Dario Scannapieco u shpreh se "vendimi për të krijuar fondin për investime në Ballkan është një angazhim real nga ana e donatorëve për të rritur kontributin e tyre dhe ndihmën në Ballkan”.
Nuk është hera e parë që BE-ja jep grante për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku bën pjesë dhe vendi ynë. Në më të shumtën e rasteve kjo ndihmë ka ardhur në formë asistence teknike, që kanë ndihmuar jo pak në proceset e integrimit. Për Shqipërinë janë miratuar katër projekte: rehabilitimi i rrjetit të kanalizimit në Elbasan, studimi i fizibilitetit për përmirësimin e infrastrukturës nga përmbytjet në Shqipëri, studimi i fizibilitetit për ndërtimin e një qarku të dyfishtë të transportit publik në Tiranë (Tirana 2–Rashbull) dhe përmirësimi i rrugëve rajonale dhe lokale në Shqipëri. Shuma totale e parashikuar shkon në rreth 188,600,000 euro për vendet e Ballkanit Perëndimor. Duhet theksuar se ky grant jepet në një kohë kur shumë vende të Evropës janë përfshirë nga kriza ekonomike, dhe kjo është një ndihmë për vendet e Ballkanit Perëndimor për ta kaluar sa më lehtë atë.
Liberalizimi
Pas pranimit në NATO një vit më parë, Shqipëria në verën e këtij viti pret liberalizimin e vizave me BE-në. Por duket se nuk janë vetëm plotësimi i kushteve që ka sjellë përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave, por edhe një vendim politik i vendeve të BE-së për të përfshirë në këtë poçes vendet e Ballkanit Perëndimor. Gjithsesi, duhet theksuar se pavarësisht kësaj një rol shumë të rëndësishëm luajnë dhe reformat si dhe stabiliteti politik dhe ekonomik i vendit.
Pyetësori
Kryeministri Berisha dy ditë më parë mori pyetësorin që jepet për të gjitha ato vende që kanë aplikuar për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Pyetësori u dorëzua nga ambasadori i KE-së Helmut Lohan dhe mendohet që brenda vitit 2010 Shqipëria të fitojë këtë status. Më pas Shqipëria do të hyjë në një tjetër poçes, i cili ka të bëjë me monitorimin dhe ecurinë e vendit në fusha të ndryshme, siç janë ekonomia, pushteti gjyqësor, forcimi i demokracisë dhe institucioneve etj.
Statusi
Shqipëria aplikoi për statusin e vendit kandidat për në BE që në prill të vitit 2009, por procesi do të hynte në fazën e shqyrtimit vetëm në nëntor, pra disa muaj më pas. Shkaku kryesor i kësaj pritjeje ishte zhvillimi i zgjedhjeve të përgjithshme në qershor të këtij viti si dhe dalja e raportit të vëzhguesve të OSBE–ODHIR-it. Ishte pikërisht ky raport që i hapi rrugën vendit tonë në proceset integruese. Madje, në muajin nëntor u përcaktua dhe më qartë data se kur mund të përfitonte Shqipëria lëvizjen e lirë