E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia Tirane i hap rruge hipotekimit te 3 mije objekteve

Bashkia e Tiranës i hap rrugë hipotekimit të 3000 apartamenteve  në Tiranë. Kryetari Lulëzim Basha u shpreh se  rreth 124 objekteve ju është dhënë leja e shfrytëzimit, dhe tashmë e gjithë dosja do ti kalojë ministrisë së Drejtësisë, për të vazhduar procedurat, e pajisjes  me tapi të qytetarëve të cilët kanë ngelur për vite me radhë, peng i burokracive u shpreh  kryebashkiaku Basha.

"Duke firmosur këtë letër shpreh bindjen se memorandumi i Bashkëpunimit me Ministrinë e Drejtësisë dhe ministrinë e Transporteve do të japë efektet e saj po njëkohësisht i siguroj se dërgimi i këtyre dosjeve në Ministrinë e Drejtësisë nuk do të thotë që nuk do i humbim nga sytë po do i mbajmë sytë derisa të shohim zbardhjen e plotë të secilit prej 124 objekteve që bashkia e Tiranës, tashmë të pajisur me leje shfrytëzimi, i konsideron të gatshme për të konfiguruar procesin e hipotekimit", tha Lulëzim Basha, kryetar i bashkisë.

Por procesi i hipotekimit do të shtrihet dhe në  2 faza të tjera.  Të cilat do të  përfshijnë identifikimin  e firmave të ndërtimit që kanë  bërë shkelje, si dhe  ngërci që ato mund të kenë sjellë në  mos pajisjen e qytetarëve me hipoteka.

"Përgjegjësia e bashkisë së Tiranës do të konsistojë nga njëra anë në mospenalizmin e qytetarëve që kanë blerë këto apartamente po nga ana tjetër pa dyshim në marrjen masave përkatëse, qofshin këto vënien para përgjegjësisë të zhvilluesve për shkelje të parametrave urbanë apo qofshin ruajtja e parametrave urbanë atje ku mundemi", vijoi Basha.

Kjo nismë e bashkisë së Tiranës vjen pas nënshkrimit të memorandumit  të bashkëpunimit mes këtij institucioni, ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Transportit rreth një muaj më parë, për  hipotekimin e apartamenteve të qytetarëve në Tiranë  si dhe për lehtësimin e procedurave  në pajisjen me këtë dokument.

Edlira Sulejmani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›