Tiranë, për tre muaj 80 të arrestuar me drogë
Me drogën e djeshme, Policia e Tiranës ka regjistruar rastin e 60 për këtë vit, duke e rritur edhe më shumë luftën ndaj kanabisit. Sipas të dhënave zyrtare, për tremujorin e parë të vitit 2010 ishin shënuar 53 raste me drogë, prej të cilave janë proceduar penalisht 80 autorë. Ndër këta persona, 49 veta janë arrestuar, 27 janë proceduar në gjendje të lirë, ndërkohë që katër të tjerë janë shpallur në kërkim. Burimet policore bënë të ditur se në të njëjtën periudhë, krahasuar me vitin 2009, janë shënuar 38 raste, ose e thënë ndryshe 15 raste më pak. Gjithashtu, në tremujorin e parë të vitit 2009, janë proceduar penalisht 56 autorë, ose 24 më pak se këtë vit. Në lidhje me sasinë e drogës së sekuestruar gjatë tremujorit të parë këtij viti, antidroga e kryeqytetit ka pasur rritje të shifrave. Sipas të dhënave, gjatë 90 ditëve janë sekuestruar 3.19 kg heroinë, që i bie 2.5 kg më tepër se në vitin 2009. Gjithashtu, janë sekuestruar 86 gramë kokainë, ose 82 gramë më tepër se një vit më parë. Ndërsa për kanabisin, policia tha se këtë 3-mujor ka sekuestruar 37 kg, ose 33 kg më tepër se një vit më parë. Ndërkaq, veç shifrave të tremujorit, policia e kryeqytetit ka bërë publike edhe shifrat për 15 ditët e para të prillit, ku bie në sy operacioni “Smart”, në të cilin u bllokua një sasi e konsiderueshme kokaine. Sipas të dhënave policore, për këto 15 ditë janë shënuar shtatë raste me nëntë të arrestuar dhe tre persona në gjendje të lirë. Në lidhje me këto shifra, policia tha se ka sekuestruar rreth 500 gramë kokainë, 100 gramë heroinë dhe vetëm 50 gramë kanabis.
#