Fier, ankesa për faturat e ujit të pijshëm
Qindra banorë të Fierit akuzojnë ndërmarrjen e Ujësjellës–Kanalizimeve për abuzime me faturat e konsumit të ujit të pijshëm. Problemi pranohet nga drejtori i Ujësjellësit, Agim Plepi, i cili deklaron se “fajtorë” janë sahatet që kanë dalë jashtë përdorimit. Banorët ankohen se ndryshe nga sa ishte thënë në muajin mars nga ujësjellësi, çmimi i ujit të pijshëm është dyfishuar dhe jo 35% siç ishte paralajmëruar nga drejtuesit e ndërmarrjes. “Pranuam rritjen e çmimit të ujit, por nuk mund të pranoj shtrenjtim dyfish të çmimit të tij”, shprehet i revoltuar Agron Velo, banor i lagjes “Apollonia”. “Jemi në familje dy persona, ndërkohë që fatura e ujit na ka ardhur në masën 1026 lekë të reja. Ky është skandal, si mund të harxhojmë kaq shumë”, ka thënë një i moshuar. Ndërkohë, qytetarë të tjerë ankohen për zbatimin e dy standardeve të ndryshme çmimesh, një çmim ka qenë 960 lekë të reja dhe çmimi tjetër 1200 lekë.
Nga ana tjetër, drejtori i Ndërmarrjes së Ujësjellësit, Agim Plepi, pa pranuar faktin se sahatet matëse kanë dalë jashtë përdorimit. “Prej javësh në qytetin e Fierit po vepron një sektor taks-force, që ka kontrolluar sasinë reale që regjistrojnë sahatet e ujit. Në të gjitha rastet është konstatuar se ata janë jashtë përdorimit. Këtu marrin shpjegim edhe ankesat e drejta të banorëve të Fierit”, ka thënë drejtori, duke shtuar se janë kontrolluar për funksionimin e tyre 4000 sahate, aq sa dhe është numri i familjeve që janë pajisur me të. Ndërkohë, Plepi ka sqaruar se një pjesë e madhe e familjeve fierake nuk e kanë vendosur aparatin matës të konsumit dhe për to po aplikohet hedhja e çmimit aforfe në bazë të numrit të frymëve. “Kemi arritur deri aty sa për të mos regjistruar reagime të tilla të kërkojmë certifikatë familjare dhe dokumente të tjera identifikimi. Situata e krijuar vjen si rezultat i konsumit të madh të ujit që regjistron komuniteti i Fierit, i cili është i pari në vend që furnizohet 24 orë me ujë të pijshëm”, ka thënë drejtori Plepi.
#