E Diel, 1 Nëntor 2026

Kanabis për sportistët e klubit Partizani

Antidroga arreston dy shpërndarësit me heroinë dhe hashash. U gjen para false dhe një pistoletë

Drogë, armë dhe para false është bilanci i një operacioni të antidrogës së kryeqytetit, e cila ka vënë në pranga dy persona. Ata merreshin me shitjen e lëndëve narkotike pranë kompleksit të klubit të sportit Partizani, duke mos përjashtuar sportistët si klientë, por edhe gjimnazistët që ndodheshin fare pranë zonës së tyre. Nga ky operacion, i koduar “Kompleksi”, janë arrestuar Gramoz Sulaj dhe Rinor Osmani, të moshës 26-vjeçare, pasi me vete u është kapur lënda narkotike e llojit heroinë, kanabis, euro e para false, si dhe një pistoletë.

Sipas të dhënave nga policia e kryeqytetit, hetimi për këtë operacion ka nisur disa javë më parë. Informacionet e para janë marrë për dy persona, njëri me banim në Tiranë, ndërsa tjetri me banim në Tropojë, se merreshin me shitje të lëndëve narkotike, pranë një shkolle te vendi i lartpërmendur. Menjëherë oficerët e antidrogës kanë nisur vëzhgimet në terren, duke identifikuar dy të dyshuarit. Në këto kushte, policia tha se ka organizuar operacionin e dy netëve më parë, duke i kapur ata në flagrancë. Burimet shpjeguan se ata ishin nisur për të shitur lëndën narkotike te disa persona dhe në ato momente është ndërhyrë nga ana e policisë. Fillimisht Sulaj dhe Osmani kanë tentuar të largohen, por pasi kanë vënë re se ishin të rrethuar, kanë hedhur lëndën narkotike, me qëllim që mos t’u kapin asgjë me vete. Specialistët e antidrogës i kanë vënë në pranga të dy personat dhe i kanë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë. Aty janë marrë në pyetje për orë të tëra, ndërkohë që një grup tjetër ka vijuar me kontrollin e banesave të tyre.

Sipas hetimeve, njëri prej tyre banonte në Tropojë, kështu që i është kërkuar Komisariatit të Bajram-Currit që të ushtrohet kontroll në banesën e tij. Sipas të dhënave policore, atje i janë gjetur rreth 100 euro false dhe një pistoletë. Nga ana tjetër, policia tha se në total bllokoi 115.5 gramë heroinë dhe pesë gramë kanabis. Veç tyre u sekuestrua një pistoletë, 100 euro dhe 5 mijë lekë false. Dy të arrestuarit janë pyetur si për origjinën e drogës, ashtu edhe të parave false, por ata nuk kanë pranuar të tregojnë asgjë, duke i shtuar vetes edhe akuza të tjera.

Policia e kryeqytetit shpjegoi se ata akuzohen për shitje të lëndëve narkotike, falsifikim të kartëmonedhave, si dhe armëmbajtje pa leje. Nga hetimet është mësuar se klientët e tyre ishin banorë të zonës, por nuk përjashtoheshin edhe të tjerë. Sipas të dhënave, mësohet se ata u shpërndanin hashash disa sportistëve të Partizanit, ndërkohë që nuk kursenin as nxënësit e shkollës. Gjithashtu, policia tha se ata dyshohen për shpërndarje lënde narkotike edhe në disa zona të tjera të kryeqytetit, por tashmë po punohet për dokumentimin e plotë të veprave penale të konsumuara prej tyre dhe për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë.

Vetëm pak ditë më parë, antidroga e kryeqytetit realizoi një tjetër operacion të rëndësishëm, ku bëri të mundur sekuestrimin e rreth 400 gramëve kokainë, me vlerë rreth 40 mijë euro, si dhe arrestimin e tre personave që merreshin me shpërndarjen e kësaj lënde narkotike.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›