Faturistët: Gabime me raportimin në telefon
Banorët e Sarandës ankohen për “fryrje” të faturave të konsumit të energjisë elektrike. Në sportelet e OSSH çdo ditë ka pasur radhë qytetarësh që depozitojnë ankesat e tyre për abuzime me faturimet e gabuara. Një grua e moshuar, që jeton e vetme thotë se ky është muaji i dytë që duhet të paguajë faturimin aforfe. Ajo tregon faturën e muajit mars, e cila, ashtu si ajo e shkurtit, i ka ardhur të paktën 200 kilovatorë mbi harxhimin faktik. “Muajin e shkuar bëra kërkesë me shkrim për rishikim të sahatit. Më qetësuan duke më thënë se gabimi do të korrektohej në shifrën e muajit pasardhës, por në vend të ”kompensohej”, u përsërit i njëjti gabim”, ankohet e moshuara. Në dhjetëra rastet e faturimit me të tepërt brenda një muaji nga faturistët e shumicës së kabinave elektrike që numëron filiali i OSSH-së së Sarandës, në një të vetëm ka rezultuar që faturistja të pranojë se “gabimi njerëzor” ka qenë i saj, si pasojë e të cilit një qytetari iu regjistruan si të konsumuara jo pak, por 500 kilovatorë më shumë. Disa faturistë thonë se gabimi vjen nga dëgjimi i keq i raportimit në telefon, duke pretenduar se shpesh shifra 3 apo 5 dëgjohet 8. “Po ç’është ky raportim që bëhet me telefon, pse duhet të ndodhë kështu”, pyesin qytetarët ndërkohë që përgjigjja më e saktë do të ishte se shpesh regjistrimet bëhen ”për lehtësi pune” nga faturistët pa bërë hapjen e bokseve kolektive të instaluara nëpër pallate dhe pa bërë leximin real të matësve.
Ndërsa banorët ankohen për abuzime me faturat, nëpër sportele përgjigjja e vetme që marrin është: ”Nuk ka rrugë tjetër, paguajeni kaq sa ka ardhur fatura, se ajo nuk kthehet dot mbrapsht. Fatura ka hyrë në kompjuter, dhe korrigjimi vjen muajin tjetër”. E nëse korrigjimi nuk vjen, ose gabimi përsëritet, kostoja bie mbi xhepin e qytetarit dhe jo për OSSH-në e punonjësit e saj.
#