E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bashkia bën gati listën me ndërtimet mbi kolektorët

23/12/2004  

SHKODER

Ende nuk ka kaluar shija e hidhur e përmbytjes së fundit në qytetin e Shkodrës. U bënë afro tri javë që qeveria ka dhënë një fond prej 16 milionë lekësh të vjetra dhe tashmë ka nisur puna për evidentimin e ndërtimeve që kanë bllokuar kolektorët. Specialisti i zyrës së urbanistikës, Kujtim Damnori, bën të ditur për gazetën “Metropol” se prishja e këtyre ndërtimeve është çështje ditësh. Ndërkohë, që nuk mund të pretendohet që me këto punime të zgjidhet përfundimisht problemi i përmbytjes. Vetëm me sistemimin e kanalizimeve të ujërave të bardha, i cili kushton rreth 10 milionë euro, do të mund të evitohej që të përmbyteshin sërish 400 shtëpi.

Sa ndërtime pa leje janë ndërtuar mbi kolektorë?

Menjëherë pas situatës të krijuar, bashkia ngriti një grup pune për të verifikuar gjendjen e kolektorëve dhe pas verifikimeve arritëm në përfundimin se në kolektorët e Shkodrës janë bërë 35 ndërtime pa leje ose ndërhyrje në seksionet e kolektorëve. Këto kanë bërë të pamundur funksionimin normal të tyre, madje dhe i kanë bllokuar totalisht kolektorët, duke i nxjerrë jashtë funksionit

Po ndërtime me leje, që kanë bllokuar kolektorët, a ka?

Edhe këtij detaji i kemi kushtuar tepër rëndësi. Kemi bërë të gjitha verifikimet dhe nuk kemi hasur në ndërtime me leje, që kanë prishur kolektorët apo kanë ngushtuar seksionin e tyre.

Qeveria dha një fond prej 16 milionë lekësh. Si po menaxhohet ky fond?

Ky fond po përdoret për të zhbllokuar katër kolektorët më kryesorë të qytetit. Janë katër firma që kanë marrë përsipër pastrimin e tyre. Kështu, për kolektorin Pazar-Fermë janë dhënë 5 milionë lekë, për kolektorin e Zooteknikës janë dhënë 7,5 milionë lekë, për kolektorin e zonës industriale janë dhënë 1 milion lekë dhe për kolektorin e zonës së Ndocejve janë dhënë 3,5 milionë lekë.

Konkretisht ku janë të vendosura ndërtimet pa leje dhe çfarë lloj ndërtimi janë?

Pjesa më e madhe e tyre janë ndërtime mur-rrethuese dhe një pjesë e vogël dyqane. Ato janë të vendosura konkretisht: 20 ndërhyrje në kolektorin Pazar–Fermë, 10 ndërhyrje në kolektorin e Zooteknikës, 4 ndërhyrje në kolektorin e zonës së Ndocajve dhe 1 ndërhyrje në kolektorin e zonës industriale.

Me pastrimin e këtyre kolektorëve, a mund të ketë sërish përmbytje?

Pa diskutim që po me ato sasi reshjesh, do të ketë sërish përmbytje, pasi kanalizimeve të ujërave të bardha, u duhet një ndërhyrje rrënjësore, pasi kanë 15 vite që as nuk është hedhur vështrimi nga to. Pastrimi aktual që po bëhet është vetëm për të kaluar situatën emergjente.

Si mund të zgjidhet ky problem?

Eshtë një projekt austriak, që është tepër cilësor dhe financimi i atij projekti do të ishte zgjidhja e përherëshme për Shkodrën. Sipas disa përllogaritjeve, për të zgjidhur problemin e kanalizimeve të ujërave të bardha duhet një fond rreth 10 milionë euro.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›