E Hënë, 2 Nëntor 2026

Marubi, zbulohen 210 foto te panjohura

24/12/2004  

Marubi

Zbulohen 210 foto të panjohura

Në Institutin Kombëtar të Fotografisë "Marubi" në Shkodër janë zbuluar ditët e fundit

210 fotografi të panjohura më parë, të realizuara në shekullin e 19-të nga themeluesi i fotografisë shqiptare, Pjetër Marubi. Drejtoresha e këtij Instituti, Semiha Osmani, tha se "këto fotografi janë gjetur gjatë kërkimeve të specialistëve në mijëra negativë të arkivës së Institutit. Fotografitë paraqesin banorë të zonave të ndryshme të Malit të Zi me kostumet e tyre karakteristike". Sipas saj, 210 fotografitë e zbuluara së fundi përbëjnë një

fond me vlera të rralla historiko-etnografike dhe datojnë nga viti 1860 deri në vitin 1890. "Janë të gjithë negativë në formate të mëdha prej xhami të futura në kuti kartoni dhe të ruajtura në rafte të veçanta", shtoi Osmani.

Me këto foto, fondi i Malit të Zi në Institutin Kombëtar të Fotografisë "Marubi" ka arritur tashme në 1000 fotografi, që i përkasin gjysmës së dytë të shekullit të 19-të dhe gjysmës së parë të shekullit të 20-të.

Pesë muaj më parë, qeveria shqiptare vendosi që fototekës "Marubi" t'i jepte statusin e Institutit Kombëtar të Fotografisë. Në këtë Institut ruhen mbi 500 mijë negativë të realizuara nga tre brezat e fotografëve të njohur të familjes "Marubi".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›